Kushtetuta e Kosovës u përgatit dhe u aprovua brenda kontekstit të shpalljes dhe njohjes së pavarësisë nga faktorë determinues të rrjedhave globale në dekadën e parë të shekullit 21. Nisur nga këto rrethana ajo ishte rezultat edhe i një konsensusi midis aktorëve politikë dhe në një plan më të gjerë shoqëror. Kjo u reflektua në unitetin e krijuar e të pasqyruar me Ekipin e Unitetit për negociatat për statusin në Vjenë (2006-2007), i cili në kuptim të gjerë kishte një përbërje më gjithëpërfshirëse sesa thjesht partitë politike parlamentare. Duke kuptuar këtë kontekst, elita politike dhe intelektuale krijoi unitetin e saj në kuadër të ekipeve që i shërbenin procesit negociator. Dhe kjo kishte rëndësinë e vet të madhe pasi që, hiq kundërshtimin e VV-së e cila ishte në fillet e formësimit të saj, rezultatet e procesit negociator, Plani i Ahtisaarit dhe rrjedhimisht edhe Kushtetuta e tashme të marrin tiparin e një pronësie të përbashkët të partive politike parlamentare dhe më gjerë. Ky qe një produkt i përbashkët që ngase siguroi se, ndonëse nuk është i përsosur në disa pjesë të tij, u evitua lufta partiake meskine dhe interesi i përbashkët dominoi. Veç kësaj ky ishte fryt i një real politike që e shpinte Kosovën tek shtetësia e njohur ndërkombëtarisht e që pasqyrohet dy vjet më vonë edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Por diçka që kishte funksionuar mirë dhe kishte dhënë rezultatet edhe në Rambuje, edhe në Vjenë u la anash në periudhën vijuese pas vitit 2010. Përgjatë gjithë periudhës së pastajme e deri më sot me një trend përkeqësimi faktorët politikë, kush më shumë e kush më pak, kontribuuan që edhe interesat më të ndjeshme të rrezikohen nga lufta antagoniste politike, degraduese, me primesa primitive të zëvendësojë e lë anash përpjekjet për konsensus. Prej kësaj kohe zakonisht përgjegjësinë për bisedimet për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë e merrte partia/ partitë në koalicion fituese të zgjedhjeve. Partitë e tjera kuvendore ose ftoheshin e nuk pranonin të inkuadrohen në ekipet negociuse, ose nuk ftoheshin e as përfilleshin fare. Raportimi në Kuvend ishte episodik dhe zakonisht post festum. Uniteti kryesisht mungoi – sidomos lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Dhe kjo rezultoi me defekte që përgjatë një dekade e gjysmë vijnë duke u trashur. Për çudi ata që kritikonin garniturën paraprake me qëllim lufte për pushtet, bënin lëshime edhe më të mëdha kur vinin në pushtet. Elita intelektuale ishte më tepër vëzhguese e kësaj situate e mbyllur vetë dhe e spostuar. E tërë kjo praktikë dhe sjellje ka ardhur tani në një stad kur e sfidon rendin kushtetues dhe pozitën ndërkombëtare të vendit.
Problemi tjetër i ndërlidhur me rendin kushtetues është puna e Kuvendit, roli i grupeve parlamentare dhe përgjithësisht përgjegjësia politike kushtetuese e Kuvendit, e cila ka ardhur duke përkeqësuar dhe degraduar. Kam qenë edhe vetë dëshmitar i këtij procesi degradues. Ishin vitet 2011-2012 kur debati i angazhuar rreth privatizimit të Valës dhe Brezovicës e krijoi një shumicë të re në Kuvend në raport me koalicionin që kishte formuar Qeverinë, pasi një numër deputetesh nga partitë në koalicion nuk e përkrahnin opsionin për të cilin insistonte Qeveria. Megjithatë këto projekte po shtyheshin në mënyrë të sforcuar, me bazë të kontestueshme ligjore e edhe pasi ishin tërhequr nga gara investitorë me reputacion në atë fushë. Qeveria humbi shumicën dhe për të penguar marrjen vendimeve të Kuvendit orkestronte deputetët e tjerë që të dilnin nga salla kur duhet të votohej, me qëllim që artificialisht të krijonte mungesën e kuorumit për marrje të vendimeve. Kjo praktikë bllokuese u vazhdua edhe më tuje herë nga opozita e herë nga pozita, për t’u përkeqësuar në mënyrë radikale prej vjeshtës së vitit 2015 e më tutje kur aktet e dhunës brenda sallës në Kuvend dhe jashtë saj bënë të pamundur, jo vetëm debatin, por edhe gati bllokuan tërësisht Kuvendin. Këto ishin akte jo vetën në kundërshtim me ligjin, rregulloren por edhe shprehje e përçmimit të Kuvendit dhe rolit të tij, degradimit të tij. Rezultati nuk ishte pozitiv – as sa i përket demarkacionit, as Asociacionit (“Zajedinicës”), pasi që më vonë demarkacioni u votua, nga të njëjtit aktorë qe e shanin, ashtu siç ishte propozuar dhe u bë temë e harruar nga të njëjtit. E solucioni për asociacionin që na erdhi në tavolinë tash me procesin e Brukselit dhe Ohrit, nuk është aspak më i mirë sesa ai i viteve 2013 dhe 2015, përkundrazi në disa segmente (sidomos aspekti territorial dhe arbitrazhi ) paraqesin përkeqësim. Përfundimi nga kjo është se kundërshtimi retorik dhe i dhunshëm në fakt nuk e kishte objektiv esencën, por instrumentalizimin e çështjeve të ndjeshme në luftën joparimore për pushtet.
Është një dekadë e gjysmë që na mëson se problemeve lidhur me konsensusin politik e nacional, së paku në relacion me marrëdhëniet me Serbinë, bashkëpunimin rajonal dhe raportet që prekin në esencë të pozitës ndërkombëtare të vendit duhet t’u qasemi ndryshe. Një qasje që siguron përbashkim, konsensus në vend të propagandës vulgare gjithsesi të dëmshme në funksion elektoral ose pushtet-mbajtje.
E dyta, kjo periudhë prej një dekadë e gjysmë, ose më shumë, duhet të jetë e mjaftueshme për secilin që mendon esëll, për të nxjerrë mësime se patjetër duhet ndryshojë sjellja e partive parlamentare rreth funksionimit të Kuvendit. Nëse vazhdon kështu që interesat grupore dhe të ngushta partiake brenda partive dhe ndikimi determinues i Qeverisë që ose shtyn politikat e veta ose bllokon Kuvendin, nuk do të mbetet asgjë nga roli i këtij organi ligjvënës e mbikëqyrës, ushtrues i procesit demokratik dhe mbrojtës i sistemit kushtetues. Qeveria e ngufat, “e kap” Kuvendin. Kjo që kemi parë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, ndonëse jo vetëm në këtë periudhë siç u prezantua më lart, na tregon qartë se praktika e tillë është rrugë e pakrye. Për këtë nevojitet edhe një marrëveshje “bontoni” midis partive parlamentare. Kuvendi është për të marrë vendime dhe debate deri në shterim për të arritur deri tek zgjidhjet e zgjedhjet optimale. Por vendimi në fund duhet të merret me votim të përgjegjshëm që reflekton gjithë pasurinë dhe koloritin e debatit. Abstenimi nga votimi, braktisja e sallës, aktet e dhunshme duhet të pamundësohen. Deputetët janë të zgjedhur që të marrin pjesë në mbledhje dhe të votojnë e jo të na servojnë shfaqje arrogance dhe teatralitet të tejdukshëm. Gjykata Kushtetuese, në vendimet e saj e ka thënë se deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë (për, kundër, abstenim). Kjo edhe është kontestuar nga disa me arsyetimin se askush nuk mund ta detyrojë deputetin të votojë. Atëherë mbetet që Gjykata Kushtetuese ta sqarojë këtë - deri ku obligon ai mendim i saj. Por deri atëherë, partitë parlamentare duhet ta arrijnë një marrëveshje që të evitohen praktikat e deritashme. Deputetët kanë përgjegjësi që të marrin pjesë në debat dhe votim, ata kanë marrë besimin dhe bashkë me këtë edhe obligimin jo për të bllokuar institucionin më të lartë demokratik të vendit dhe degraduar atë skajshëm, por për ta sendërtuar rolin e tij të pazëvendësueshëm.
Këto dy çështje: Marrëdhëniet me Serbinë, pozita ndërkombëtare e vendit dhe rikonstruktimi i punës dhe marrjes së vendimeve në Kuvend janë dy nga çështjet që duhet të jenë në observim serioz të votuesve në zgjedhjet e ardhshme. Për këto jo vetëm se duhet t’i mbajnë përgjegjës akterët politikë për sjelljet e deritashme, por secili që pretendon që qeverisë duhet të deklarohet qartë se cila është qasja dhe orientimi tij paszgjedhor për të mundësuar zgjedhje të përgjegjshme të votuesve.
Titullin e këtij artikulli e huazova nga një intervistë në KTV e shkrimtarit dhe historianit Jusuf Buxhovi, që shprehte tërë brengën e një aktori të rëndësishëm të filleve të pluralizmit politik tek ne e të artikulimit të luftës për çlirimin me akterë të rëndësishëm ndërkombëtarë. E vërtetë, na nevojitet “patriotizëm kushtetues” në kuptim të sigurimit të funksionimit efektiv të institucioneve dhe të sigurimit të mbështetjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë. Jo që kjo Kushtetutë është e shenjtë. Ka boshllëqet e veta serioze, për shembull Ligji për arsimin e lartë e Ligji për festat shtetërore ka më shumë se dhjetë vjet që nuk mund të aprovohen, pasi që kërkon shumicën nga minoriteti serb dha shumicën e pakicave tjera, e ka edhe çështje të tjera. Mirëpo, në kontekstin aktual, e vetmja mënyrë për t’u korrigjuar ato në një të ardhme është procesi demokratik, debati konstruktiv dhe komunikimi me të gjithë akterët e interesuar.
(Autori është këshilltar senior në Institutin Riinvest. Mendimet e prezantuara këtu janë personale)