Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Në Rektorat mungon një portret

Mungesa e fotografisë së rektorit Çollakoviq në mesin e fotografive të rektorëve të tjerë nuk i bën nder Universitetit të Prishtinës si institucion

Nuk kisha qenë një kohë të gjatë në ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Dy vjet, tre, ndoshta edhe më shumë.

Rastisi që të shkoj këto ditë. Shkas: ceremonia e dorëzimit të diplomës “Gazetar i vitit” (Journalist of the Year) prezantueses së RTK-së, Alketa Gashi-Fazliu, akorduar nga Universiteti i Dallasit në Texas.
U ula në rendin e parë, ku më thanë, kështu që përballë kisha panelin, kurse lart, përmbi kokat e panelistëve, fotografitë e rektorëve të Universitetit nga themelimi deri më sot.

Renditja e fotografive është kronologjike: Dervish Rozhaja, Idriz Ajeti, Feriz Krasniqi, Gazmend Zajmi, Minir Dushi, Hajredin Hoxha, Skender Karahoda, Ejup Statovci, Zenel Kelmendi, Enver Hasani, Mujë Rugova dhe Marjan Dema. 

Bie në sy mungesa e njërit nga rektorët e UP-së, rektorit të vetëm serb në historinë e tij, dr. Bozhidar Çollakoviq. 

Sa më kujtohet, Çollakoviqi, mësimdhënës i Fakultetit të Mjekësisë, ka qenë rektor i UP-së kah mesi i viteve ’80, që i bie diku midis Hajredin Hoxhës dhe Skender Karahodës. (I pari shquhej për luftën kundër “nacionalizmit shqiptar”, kurse i dyti ia hapi dyert aparteidit në Universitetin e Prishtinës).
Shtrohet pyetja: përse fotografia e rektorit Çollakoviq nuk është aty ku e ka vendin? Ai është rektor i ligjshëm dhe si i tillë, volens nolens, është pjesë e historisë së këtij institucioni.

Edhe Studentë nga e gjithë Kosova bëjnë thirrje për drejtësi dhe unitet LAJMET E MBRËMJES Studentë nga e gjithë Kosova bëjnë thirrje për drejtësi dhe unitet

Nuk e di kush e ka marrë këtë vendim, por mund ta marr me mend se duhet të jetë ndonjëri nga ata që e degraduan Universitetin tonë deri vonë të vetëm publik dhe që një veprim të tillë e kanë konsideruar akt “patriotik”.

Ne nuk kemi nevojë për veprime të tilla, sikundër nuk kemi nevojë të fshehim asgjë, sepse e vërteta është në anën tonë. 

Universiteti i Prishtinës nga themelimi në vitin 1970 ka qenë universitet dygjuhësh; mësimi në të gjitha fakultetet zhvillohej në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe serbokroate, ndërsa në Fakultetin Filozofik (sot Filologjik) funksiononin paralelisht dy degë “nacionale”: Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe dhe Dega e Gjuhës Serbokroate dhe e Letërsisë Jugosllave.

Ky ka qenë realiteti dhe ai nuk ka pse të fshihet.

Ndërsa zhvillohej ceremonia në sallën e Rektoratit m’u kujtua diçka që më ka treguar kolegu im i fakultetit, atëherë kryetar i Konferencës Aksionale të Lidhjes së Komunistëve të Universitetit, Liman Matoshi.

Pas demonstratave të ’81-shit, përgjatë gjithë viteve ’80, studentët që identifikoheshin si pjesëmarrës në demonstrata largoheshin nga fakulteti. Disa profesorë shqiptarë, veçanërisht ata me pozita në hierarkinë e fakulteteve dhe të Universitetit, ishin të pamëshirshëm ndaj studentëve të tyre. 

Edhe Kolumne Serbia II, folie à deux

Në një nga mbledhjet ku është diskutuar për këtë problem, rektori Çollakoviq, paskësh thënë: “Unë e kam pasur kolege të studimeve në Beograd vajzën e Drazha Mihajlloviqit!”. (Për ata që nuk e dinë, Drazha Mihajlloviqi, gjeneral armate, ishte komandant i forcave çetnike dhe pas luftës u dënua me vdekje dhe u ekzekutua). Mirëpo, ja që të bijës së tij, sipas dëshmisë së rektorit Çollakoviq, i qenkësh bërë e mundur të studionte në Universitetin e Beogradit.

Në kontekstin në të cilin është shqiptuar kjo deklaratë flet qartë për absurditetin e luftës politike që zhvillohej në Kosovë dhe veçanërisht në Universitetin e Prishtinës në vitet ’80: Procesin famëkeq të diferencimit ideopolitik, viktimë e të cilit kam qenë edhe vetë. 

Pas mbarimit të mbledhjes e marr në telefon kolegun Matoshi për ta verifikuar atë që më ka pasë thënë shumë vjet më parë (gati gjysmë shekulli).

-    Po, thotë Limani, është e vërtetë. - E ka thënë në mbledhjen e Kolegjiumit të dekanëve, ndërsa diskutohej për largimin e vajzës së Ali Hadrit nga fakulteti ku studionte.

Nuk e di çfarë qëndrimi ka mbajtur më vonë zoti Çollakoviq, por pavarësisht nga ndryshimi eventual i qëndrimit të tij politik, ai ka qenë rektor i ligjshëm i Universitetit të Prishtinës, i zgjedhur në mënyrë të rregullt, prandaj e ka vendin në mesin e kolegëve të vet shqiptarë. 

Edhe Kosova në shkenca politike studiohet me perspektiva që kalojnë nga Beogradi Kulturë Kosova në shkenca politike studiohet me perspektiva që kalojnë nga Beogradi

Fundja, është pjesë e historisë dhe historia, siç dihet, nuk ka nevojë e as mundësi të ndryshohet, e aq më pak të zhbëhet.

(Autori ka qenë profesor në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës)