Nëse më e keqja kapërcehet dhe Ukraina përnjëmend tradhtohet, atëherë Amerika mund të mos e rimarrë më kurrë atë respektin global që e gëzoi dikur. Demokracitë liberale, nga ana e tyre, do të bënin mirë që t’i kushtonin vëmendje urtësisë së Adlai Stevensonit, dy herë kandidat demokrat për president dhe ambasador i SHBA-së në OKB midis viteve 1961 dhe 1965: Demokracitë duhet të jenë të përgatitua jo vetëm të luftojnë për vlerat e tyre, por edhe të jetojnë sipas tyre
Nga të gjitha veprimet e pamenduara që presidenti amerikan Donald Trump i ka ndërmarrë që prej fillimit të mandatit të tij të dytë, asnjëri nuk është më i rrezikshëm sesa përpjekja e tij për ta detyruar Ukrainën që ta pranojë atë që ai e quan “marrëveshje e paqes”.
“Plani” fillestar 28-pikësh i Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë – që thuhet se u hartua nga emisari i posaçëm amerikan dhe zhvilluesi i pasurive të paluajtshme, Steve Witkoff, bashkë me Kirill Dmitrievin, udhëheqës i fondit sovran rus – lexohet sikurse një listë dëshirash i Kremlinit, duke ia kapitalizuar presidentit rus, Vladimir Putin, secilën kërkesë. Negociatorët amerikanë dhe ata ukrainas që atëherë e “përmirësuan” dokumentin, porse propozimi prorus i Trumpit dhe kërcënimi i tij për ta lënë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, që të “luftojë me gjithë zemër” nëse nuk i pranon kushtet, duhet t’i ndezë kambanat e alarmit përreth Evropës e gjetkë.
Çdo vëzhgues me mendje të shëndoshë mund të shohë se i ashtuquajturi plan i Trumpit qe i pagjasë. Kërkesa që Ukraina të heqë dorë prej territoreve të saja – jo vetëm nga rajonet e pushtuara aktualisht nga Rusia, por edhe nga ato që janë ende nën kontrollin ukrainas – është shpërfaqje e hapur e përbuzjes për sundimin e së drejtës, për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe për vetë Evropën. Plani do ta çarmatoste Ukrainën edhe nga aftësia për ta mbrojtur veten. Siç vëzhgoi ish-ambasadori amerikan në NATO, Kurt Volker, ky plan “gjysmë i pjekur” qe i “destinuar të lindë i vdekur”.
Por edhe pse negociatorët vazhdojnë t’i rishikojnë kushtet dhe me gjithë tonin e optimizmit të matur të Ukrainës, Evropa nuk guxon ta lejojë uljen e vigjilencës. Nëse Putinit i lejohet që të shpëtojë me vjedhjen e territorit të Ukrainës, atëherë siguria dhe sovraniteti i çdo vendi të krahut lindor të NATO-s – nga Baltiku deri në Detin e Zi – do të jenë në rrezik. Dhe duke pasur parasysh se Rusia tashmë është duke zhvilluar luftë hibride për t’i destabilizuar këto vende, siç tregoi edhe përpjekja për sabotim në sistemin hekurudhor të Polonisë, ky kërcënim është larg të qenët hipotetik. Për ta parandaluar Putinin që t’i normëzojë pushtimet territoriale, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian duhet të bëjnë të qartë se do ta mbështesin Ukrainën në kundërshtimin e çdo marrëveshjeje që e rrezikon sigurinë e saj. Trumpi mund të hakmerret duke vendosur tarifa të reja apo duke e tkurrur bashkëpunimin ushtarak, por e vërteta e hidhur është se Evropa herët apo vonë do të përballet me të njëjtën zgjedhje të zymtë me të cilën po ballafaqohet sot Ukraina: të dorëzohet përballë kërkesave të paligjshme të Putinit apo të ngrihet kundër tij.
Kjo e nënvizon nevojën urgjente për rishqyrtim strategjik. Lajkatimi i Trumpit, siç provoi të bëjë kryeministri britanik Keir Starmer, qartazi dështoi. Me Trumpin, sikurse me çdo ngacmues tjetër, sa më shumë që ia lustron këpucët, ai aq më shumë pret që t’i gjunjëzohesh. Këtu, megjithatë, ka disa shenja inkurajuese se republikanët në SHBA i rizbuluan shtyllat e tyre kurrizore, në rastin më të qartë duke e sfiduar Trumpin dhe duke insistuar në publikimin e dosjeve shqetësuese të Departamentit të Drejtësisë që lidhen me rrjetin e trafikimit seksual të pedofilit të dënuar Jeffrey Epstein. Republikanët atlantistë në Kongres duhet ta shfrytëzojnë momentin aktual për të afirmuar se tradhtia për Ukrainën – sikurse fshehja e dosjeve të Epsteinit – është thjesht e papranueshme. Por evropianët, siguria e të cilëve është drejtpërsëdrejti në rrezik, nuk duhet të presin që republikanët t’i ngrihen për ta. Tolerimi i tarifave është një gjë; dorëzimi i një demokracie të pavarur, sado të papërsosur, nën kontrollin e Kremlinit do të ishte ekuivalent i një versioni të shekullit 21 të Marrëveshjes së Munihut të 1938-s. Njësoj sikurse në Munih, qetësimi i Trumpit e ka një tjetër pasojë edhe më shqetësuese: e inkurajon një lider me prirje të pagabueshme autoritare. Secilën ditë që kalon, pretendimet se Trumpi është fashist – të shprehura madje edhe nga ish-aleatët dhe njerëzit e besueshëm të tij – bëhen përherë e më vështira të mohueshme. Besimi i tij në demokraci është në rastin më të mirë i kushtëzuar, ndërsa nuk ka as edhe një provë se ai e pranon ndonjë kufizim mbi pushtetin e tij. Gjatë dhjetë muajve të fundit ai vazhdimisht u mundua ta shndërronte ligjin në armë kundër kritikëve dhe kundërshtarëve ndërsa i sulmoi dhe i paditi firmat e pavarura ligjore thjesht ngase përfaqësuan klientë, interesat e të cilëve ranë ndesh me të tijat, si dhe i vuri në cak mediat dhe universitetet.
E gjithë kjo e ngre një pyetje themelore: Përse dikush ende duhet ta konsiderojë Trumpin lider të Perëndimit? Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e deri në zgjedhjen e Trumpit në vitin 2016, statusi i Amerikës ka qenë kryesisht i pasfiduar. Ky status bazohen në faktin se presidentë amerikanë – nga Dwight D. Eisenhoweri në vitet 50’ e deri te Joe Bideni – i mishëruan vazhdimisht vlerat dhe idealet e përbashkëta të demokracive në botën mbarë. Trumpi, presidenti më i keq amerikan i periudhës së pasluftës, i mohon hapur këto vlera, duke besuar në asgjë tjetër përveçse në vetëpasurim.
Pak njerëz në Evropë apo në Commonwealth mund të pretendojnë me plot bindje se vlerat e tyre u ngjasojnë atyre të Trumpit, në ndonjë farë mënyre kuptimplotë. E them këtë me shumë ngurrim, si një admirues i përjetshëm i Shteteve të Bashkuara. Përvoja ime e parë politike ishte të bërit fushatë për një kandidat republikan në garë për kryetar bashkie në New York – në kohën kur republikanët ende i mbronin tregtinë e lirë, bashkëpunimin multilateral dhe të drejtat civile. Asokohe, askush nuk u ndje i detyruar ta “bënte Amerikën të madhe përsëri” ngase veçse ishte, ndërsa bota – përfshirë edhe rivalët e saj komunistë – e dinin këtë. Natyrisht, kjo qe para viteve të mungesës së plotë të informimit e parimeve të Trumpit.
Nëse më e keqja kapërcehet dhe Ukraina përnjëmend tradhtohet, atëherë Amerika mund të mos e rimarrë më kurrë atë respektin global që e gëzoi dikur. Demokracitë liberale, nga ana e tyre, do të bënin mirë që t’i kushtojnë vëmendje urtësisë së Adlai Stevensonit, dy herë kandidat demokrat për president dhe ambasador i SHBA-së në OKB midis viteve 1961 dhe 1965: Demokracitë duhet të jenë të përgatitua jo vetëm të luftojnë për vlerat e tyre, por edhe të jetojnë sipas tyre.
(Chris Patten, guvernator i fundit britanik i Hong-Kongut dhe ish-komisionar i BE-së për Punë të Jashtme, është ish-kancelar i Universitetit të Oksfordit dhe autor i librit “The Hong Kong Diaries”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).