I.
Ka diçka thellësisht të lodhshme, thuajse hipnotike, në politikën kosovare. Të dielën, ndërsa vëzhgoja nga distanca zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ajo që pashë nuk përbënte as risi e aq më tepër befasi. Ishte sikur të shikoja një shfaqje teatri ku fundi dihet ende pa përfunduar shfaqja, me shpresën e kotë se ndoshta, këtë herë, publiku do ta besojë lotin e tyre skenik. Lumir Abdixhiku, njeriu që mori përsipër barrën e rëndë të garës së fundit zgjedhore u gjend përballë një udhëkryqi që ishte sa personal, aq edhe simptomatik për kulturën tonë politike. Premtimi i dorëheqjes, ai akt që në demokracitë perëndimore shënon një moment higjiene morale dhe përgjegjësie publike, tek ne u kthye brenda pak orësh në një rit pagan të konfirmimit të detyruar.
Premtimi për dorëheqje pati gjasat të kristalizohej në një testament moral, në atë aktin e rrallë ku politika takon dinjitetin. Në shoqëritë që funksionojnë me rregulla të mirëfillta, ky është momenti i përuljes para sovranit, pika ku përgjegjësia për rezultatin peshon më shumë se karrigia.
Por, tranzicioni ynë i pafund ka krijuar një ekosistem tjetër politik. Ne jetojmë në një hapësirë ku fjalët nuk kanë peshë gravitacionale, pa lënë gjurmë në kujtesën kolektive.
Në çastin kur Abdixhiku ofroi largimin, dhe salla u përgjigj me një refuzim të sinkronizuar, me atë precizitetin gati ushtarak të një kori të parapërgatitur, u kuptua se llogaridhënia nuk ishte me shumë sesa një nocion i huaj. Aty nuk kërkohej e vërteta. Ajo që pamë ishte diçka më primitiv. Një refuzim kolektiv për t’u ballafaquar me humbjen. Ishte ikja nga kriza duke e shitur atë si unitet dhe respektim të demokracisë së brendshme, ndërkohë që pasojat mbeten po aty, të paprekura.
II.
Në teorinë politike, koncepti i “konsensusit” interpretohet si rezultat i një negocimi racional dhe shpesh i vështirë mes palëve. Për ne, shpeshherë, konsensusi është thjesht frika kolektive nga e panjohura. Kjo frikë u manifestua në formën e saj më të pastër në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ku nuk pati proces politik, por vetëm një refleks organik ndaj zbrazëtirës. Anëtarët e Këshillit që refuzuan dorëheqjen nuk po mbronin figurën e kryetarit, por me shumë gjasë po mbronin komoditetin e tyre brenda një strukture që po rrënohet.
Duke e mbajtur Abdixhikun me zor në krye, strukturat e LDK-së nuk bënë tjetër veçse blenë disa javë iluzion stabiliteti. Qetësia që u shpall si fitore ishte në të vërtetë vetëm një pauzë teknike në një krizë të thellë politike. Kryetari u reduktua në një mbrojtje procedurale për të shmangur llogaridhënien, por ky mekanizëm është tashmë i konsumuar. Ky vendim nuk e zgjidhi krizën reale në LDK, por thjesht e ktheu atë në një agoni të konzervuar. Kësisoj, partia mbetet e ekspozuar përballë një realiteti politik të cilin nuk ka më as mjetet, e as fuqinë për ta projektuar, e lëre më për ta kontrolluar.
Qartazi, dorëheqja e ofruar nga Abdixhiku nuk ishte një manovër taktike, ose të paktën dua të besoj se në thelbin e saj kishte një grimcë sinqeriteti intelektual. Ai është një politikan që dëshiron të projektojë imazhin e liderit modern, atij që kupton peshën e fjalës dhe pasojën e numrave. Por, duke e vendosur mandatin në tavolinë, ai testoi ndoshta pa vetëdije guximin e partisë për të parë përtej figurës së tij. Përgjigjja që mori ishte një refuzim i prerë ndaj ndryshimit. Ajo “Jo” e sinkronizuar ndaj largimit të tij, në thelb, ishte një votë pro komoditetit. Ishte refuzimi i strukturës për të pranuar çdo lëvizje që mund të trondiste qetësinë e tyre brenda një sistemi që po e humb rëndësinë.
Nuk mund të mos pranoj se ka një tragjedi të fshehur në këtë fitore të dukshme të Lumirit. Të refuzohet dorëheqja jote në një mënyrë kaq unanime nuk është domosdoshmërish një votëbesim për vizionin tënd. Shpesh është një tregues se struktura që të rrethon është aq e brishtë, saqë e sheh largimin tënd jo si një mundësi për ripërtëritje, por si fillimin e një apokalipsi të brendshëm. Anëtarët e Këshillit, ata burra dhe gra që kanë parë ngritjet dhe rëniet e kësaj partie historike, e kam të lehtë ta besoj se nuk votuan për të mbrojtur Lumirin si individ. Ata votuan për të mbrojtur qetësinë e tyre.
III.
Këtë zhvillim e shoh me një dozë mosbesimi të cilin e kam të vështirë ta fsheh. LDK-ja, ajo shtëpi që dikur mbante peshën e shpresës sonë kolektive, sot sillet si një strukturë e mbyllur, më shumë e ndërtuar për vetëmbrojtje sesa për projektim politik. Është një absurditet që të kaplon kur e sheh se sa më shumë tkurret mbështetja nga jashtë, aq më shumë betonohet uniteti brenda tyre.
Por le të mos ngatërrohemi.
Ky nuk është bashkim rreth një ideje, as rreth një projekti për të ardhmen. Është një marrëveshje e heshtur për të ruajtur gjendjen e ngrirë të një sistemi që refuzon ndryshimin. Një aleancë e frikës dhe e interesit, jo e vizionit.
Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku për Abdixhikun. Sepse një lider që mbijeton falë ekuilibrave të brendshëm, e jo falë besimit të votuesit, nuk ndërton autoritet politik. Ai vetëm e administron përkohësisht postin.
Sot, Abdixhiku shfaqet si një lider që duhet të prijë në emër të një formacioni që sapo ia asgjësoi peshën e fjalës së dhënë. Ky është një absurditet që vështirë gëlltitet, ku nga lideri pritet të projektojë imazhin e fituesit, ndërkohë që sapo ia lidhën duart për të marrë përgjegjësinë e humbjes. Kjo ndarje brutale mes moralit që shitet në foltore dhe llogarive që bëhen nëpër zyra dëshmon se brenda asaj strukture nuk ka mbetur asgjë tjetër përveç instinktit të verbër për të ruajtur karriget.
Vërej me keqardhje se kjo ngjarje shpërfaq edhe një tipar tjetër të vjetruar të mentalitetit tonë kolektiv: kultin e individit të pazëvendësueshëm. Edhe pas dekadash demokracie formale, ne ende e kemi të vështirë të konceptojmë institucionin si diçka të ndarë nga personi. Në LDK, ky fenomen merr përmasa dramatike për shkak të një keqinterpretimi të trashëgimisë rugoviste. Ibrahim Rugova ishte i pazëvendësueshëm brenda një konteksti historik unik, por liderët e sotëm duhet të jenë pashmangshmërisht të zëvendësueshëm, pasi kjo mbetet esenca e vetme e një demokracie funksionale.
Në analizën time, ajo që ndodhi të dielën ishte mbi të gjitha një mundësi e humbur për të vendosur një standard të ri në kulturën politike, ku dështimi objektiv pasohet pashmangshmërisht nga përgjegjësia. Në vend të këtij parimi u zgjodh komoditeti. Strukturat vendosën të operojnë me simulimin se asgjë nuk ka ndodhur dhe se mesazhi i votuesit ishte thjesht një keqkuptim periferik e jo një verdikt strukturor mbi vetë ekzistencën e tyre.
Duke refuzuar ta lexojnë këtë verdikt, ata nuk bënë gjë tjetër veçse e kthyen humbjen nga një akt politik në një gjendje të përhershme agonie.
E kam të qartë se për shumëkënd brenda LDK-së, ky shkrim mund të duket si një kritikë e ashpër apo si cinizëm i një vëzhguesi të distancuar. Por, në të vërtetë, ky shkrim buron nga dëshira për të parë një skenë politike ku fjala ka peshë dhe ku veprimet kanë pasoja. Sepse, në fund të ditës, nëse politika është thjesht një lojë ku rregullat ndryshohen sa herë që rezultati nuk na pëlqen, atëherë ne nuk po ndërtojmë shtet, por po mbajmë gjallë një iluzion.
Ai (Abdixhiku) tani ka mandatin e partisë, por nuk e ka edhe vëmendjen e publikut. Ai mbase mund t’i ketë duartrokitjet e Këshillit, por nuk e ka besimin e atij qytetari të thjeshtë që pret ndryshim dhe jo manovra procedurale.