Astrit Kabashi shquhet si një prej aktorëve më të mirë kosovarë, i cili prapa vetes ka një bagazh të pasur projektesh teatrale, televizive dhe filmike.
Disa prej filmave më të suksesshëm të aktorit janë: “Babai”, “Fusha e Mëllenjave”, “Zana”, “Exil”, “Virgjëresha shqiptare” dhe të tjerë. Filmi i fundit i metrazhit të gjatë në të cilin Kabashi ka luajtur është, “Vera andrron detin”, një projekt ky i shumëshpërblyer dhe i mirëpritur nga publiku.
“Unë me shumë kënaqësi e kam pranuar këtë rol pasi e kam marrë skenarin nga regjisorja, Kaltrina Krasniqi, dhe e kam lexuar atë. Më ka lënë përshtypje shumë të madhe pikërisht ai personazh të cilin regjisorja ma ofroi. Po e them sërish se jam shumë i lumtur që kam qenë pjesë e atij kasti dhe filmi, i cili më në fund edhe u shpërblye me disa çmime si dhe mori pjesë në një prej festivaleve më të mëdhenj dhe më të vjetër në botë, siç është ai i Venecias. Me Kaltrinën kam punuar edhe më parë, atëkohë ajo ishte ende studente kështu që veç jemi njohur me njëri-tjetrin, prandaj edhe nuk kam hezituar fare të jem pjesë e atij projekti”, deklaron Kabashi gjatë intervistës për edicionin festiv të emisionit “Nëpër Film” në Kohavision.
“Vera andrron detin” ka në fokus një interpretuese të gjuhës së shenjave, Verën, e cila detyrohet të luftojë kundër patriarkatit për të fituar trashëgiminë e burrit të saj, Fatmirit. Pasi ai e vret veten, Vera mund të humbë shtëpinë të cilën dëshiron t’ia lërë vajzës së saj. Kabashi e portretizon rolin e Ahmetit, burri i cili pretendon se Fatmiri ia ka lënë trashëgim shtëpinë pikërisht atij.
“Vera andrron detin” vazhdimisht ka marrë kritika pozitive në çdo paraqitje të tij. Por, udhëtimi drejt Venecias nuk ishte shumë i lehtë për ekipin e filmit, i cili pavarësisht pengesave që erdhën me pandeminë e koronavirusit, u përball edhe me problemin kryesor për artistët kosovarë, që është pajisja me viza.
“Ne për pak mbetëm pa shkuar në Venecie për shkak të vizave. Kjo puna e vizave tashmë është bërë demode. Nuk kemi çfarë të themi më shumë për këtë. Por, fati deshi që ne i morëm vizat megjithëse vetëm për 5 ditë. Prandaj Venecian arritëm ta shijojmë vetëm për 3 ditë. E them sërish, është ëndërr e çdo aktori të marr pjesë nëpër këto festivale të mëdha siç është ai i Kanës, Venecias, Berlinit, e të mos flasim për ngjarje të tilla si ‘Oscars’. Kështu që, pjesëmarrja në Festivalin e filmit në Venecie ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme, por kur erdhi puna që të brengoseshim nëse do t’i merrnim vizat apo jo, për një moment mu duk që gjithçka do të rrënohet. Megjithëkëtë, e rëndësishme është se filmi u prit mirë atje dhe kishte mjaftueshëm publik edhe pse me masa të larta sigurie shkaku i pandemisë. Skenat kanë qenë të mbushura me njerëz. Pritja ka qenë e jashtëzakonshme. Jemi takuar edhe me kryetarin e festivalit, kemi realizuar intervista të ndryshme, fotosesione të shumta dhe të tjerë. Po e them sërish, është ëndërr e secilit aktor që ta përjetojë një ngjarje të tillë kështu që mua më vjen mirë që ne e patëm atë fat”.
Kur bëhet fjalë për prodhimet kinematografike të Kosovës, aktori vlerëson se filmi e ka përfaqësuar më së miri vendin dhe kulturën tonë.
“Deri më tani, filmi më së miri e ka prezantuar Kosovën në arenën ndërkombëtare. Besoj se do të vazhdojë ta prezantojë siç është më së miri. Po shpresoj që institucionet tona, sidomos Ministria e Kulturës, do t’ju qëndrojë prapa këtyre projekteve dhe shpresoj që gjithë kjo punë nuk do të ndalet por do të vazhdohet të realizohen filma të mirë, siç janë bërë deri më tani. Mendoj se prodhimi më i mirë i Kosovës deri më tani është pikërisht filmi”, thotë aktori.
Astrit Kabashi ndër të tjera tregon se për të arritur në profesionin e aktrimit duhet pasur përkushtim dhe dashuri ndaj punës, të bëhet përzgjedhja e projekteve dhe roleve me zgjuarsi, por gjithashtu të duhet edhe pak fat i mirë.
“Ndoshta pak më ka përcjellë edhe fati sepse në këtë profesion duhet të kesh fat, por nuk është se nuk kam punuar. Gjithçka filloi mbarë për mua me filmin ‘Babai’ të regjisorit, Visar Morina. Me të kam punuar edhe në filmin e shkurtër ‘Der Schubling’ i cili mori pjesë në shumë festivale ndërkombëtare ku edhe është shpërblyer. Siç edhe e përmendi gjithmonë që në teatër gjithçka filloi me shfaqjen ‘Mësimi’ të regjisori Bekim Lumi, në kinematografi gjithçka fillo me filmin ‘Babai’ ku edhe e kisha rolin kryesor. Shpesh aktori duhet të dijë të zgjedh në cilat projekte të përfshihet apo çfarë personazhesh t’i luaj. Jo gjithmonë kjo varet nga ne, shpesh është në duart e regjisorëve se çfarë rolesh na ofrojnë, por unë e kisha fatin e mirë që më janë ofruar skenarë shumë të mirë dhe të cilët kanë pasur suksese ndërkombëtare. Pas filmit ‘Babai’, m’u ofrua mundësia të luaj në filmat ‘Shok’, ‘Zana’, ‘Zgjoi’, ‘Exile’, ‘Virgjëresha Shqiptare’ dhe të tjerë”.
Bashkëpunimi i fundit i Kabashit me regjisorin, Visar Morina, ishte në filmin “Exile”, i cili ishte edhe propozimi i Kosovës për ceremoninë “Oscar” në vitin 2021. Por, kjo dyshe pritet të bëhet bashkë shumë shpejtë, për një projekt të ri kinematografik.
“Ky projekt ka qenë shumë i veçantë sepse bashkë me mua ka luajtur edhe vajza ime Ameli. Ajo ka qenë shumë e emocionuar për këtë. Gjithmonë ndihem me fat dhe i lumtur kur punoj me Visar Morinën. Mendoj se ai është një nga regjisorët tanë më të mirë dhe duhet të jemi të lumtur që e kemi atë. Mua më ka rënë rasti t’i realizojë tre filma me të. ‘Exile’ ka qenë komplet film gjerman edhe pse personazhin kryesor e kishte një shqiptar që ka lindur dhe është rritur atje. Po e ndajë me ju edhe një informatë të cilën nuk e kam bërë publike më herët, pres që gjatë vitit 2023 ta portretizojë rolin kryesor në filmin e ardhshëm të Visarit. Po e pres me padurim këtë projekt. Nuk mund të zbuloj më shumë hollësi, por është veçse publike që ka fituar financim nga Qendra Kinematografike e Kosovës”.
Me më shumë se dy dekada karrierë, Kabashi tregon se ende e kujton me shumë nostalgji rolin e parë filmik.
“Gjithmonë më kujtohet roli im i parë. Ishte rol kryesor në filmin ‘Fillimi i fundit’ me regji të Mensur Safqiut. Ishte një emocion i veçantë për mua sepse në atë film kam luajtur me profesorin tim të ndjerë tashmë, Faruk Begolli. Në atë kohë ishte kënaqësi të luaje në një projekt bashkë me profesorin tënd të dashur. Prandaj, po, e mbaj mend shumë mirë atë rol”.
Vjetëve të fundit, gjeneratat e reja të aktorëve tanë kanë qenë shumë të vlerësuara në secilën paraqitje në skenën ndërkombëtare, ku edhe kanë rrëmbyer çmime të rëndësishme kinematografike. Si profesor i aktrimit në Universitetin e Prishtinës, Kabashi thotë se Kosova ka aktorë të rinj shumë të talentuar.
“Këtë gjë nuk e themi vetëm ne por e përmendin edhe jashtë vendit, sidomos nëpër festivale të mëdha në të cilat jemi prezantuar. Ajo që gjithmonë është përmendur e para ka qenë se sa aktorë të mira ka Kosova. Më vjen keq që e them kështu sepse zakonisht kam qenë pjesë e atyre projekteve, por nuk jam përmendur vetëm unë por edhe të gjithë aktorët tjerë. Prandaj mendoj se e kemi një shkollë shumë të mirë të aktrimit që prodhon aktorë jashtëzakonisht të talentuar”.
Sukseset në botën e filmit nuk ju kanë munguar as regjisoreve gra, të cilat i kanë prodhuar disa prej filmave më të shpërblyer në festivale të kategorisë A. Në shumicën prej këtyre projekteve ka luajtur edhe Astrit Kabashi. Por, si e vlerëson ai bashkëpunimin me këto regjisore?
“Është shumë mirë dhe lehtë të punosh me regjisore, ndoshta edhe më lehtë se të punosh me regjisorë. Më vjen mirë që i kemi kaq të zonjat regjisoret tona dhe jam shumë i lumtur që në Kosovë u është dhënë mundësia të punojnë dhe ta dëshmojnë veten. Shpresoj se do të vazhdojmë t’ju japim përparësi, sepse e kanë dëshmuar veten me punën e mrekullueshme që e kanë bërë”.
Një pasion tjetër i aktorit Kabashi, mbetet letërsia. Sa herë që ka mundësi ai shkruan skenarë dhe këtë gjë e bënë me shumë dëshirë dhe përkushtim.
“Shkrimin e skenarëve e kam pasur pasion para se të futem në botën e aktrimit. Për herë të parë po e bëjë publike se para shkollës së aktrimit unë kam qenë i regjistruar në Fakultetin e Letërsisë. Një vit e kam përfunduar aty dhe pastaj kam kaluar në Fakultetin e Arteve. Prandaj, më ka mbetur shprehia të shkruaj. Pastaj, kjo lindi edhe si nevojë, sidomos pas luftës sepse nuk është se realizoheshin edhe shumë projekte filmike apo televizive, dhe kështu u detyrova të shkruaj skenarë. Kam realizuar komedi të ndryshme, pastaj për 13 vjet e kam shkruar skenarin e serialit ‘Kafeneja jonë’ dhe tani kam filluar të shkruar më shumë për vete”.
Në fund, Kabashi premton se do të jetë mjaft i angazhuar edhe gjatë vitit 2023, me projekte vendore dhe ndërkombëtare, të cilat do t’i zbulojë për publikun e gjerë në kohën e duhur.