Më shumë se dy dekada prej kur Kohavisioni nisi trendin e serialeve televizive në vend, një tjetër produksion e pasuron skemën programore duke gjurmuar trashëgiminë shpirtërore të vendit. Xhemajl Abria personifikon plakun e urtë që zgjidhte problemet në kohë pa ligj e sisteme të drejtësisë. Portreti i tij vjen në dimensionin e pajtuesit të gjaqeve e të kontribuuesit të çështjeve kombëtare.
E ftuar në emisionin “Nëpër Film”, Rea Surroi, producente ekzekutive e KTV-së, njëherësh producente e serialit, ka thënë se ideja për realizimin e serialit ka qenë spontane.
Tutje tregoi se qëllimi i këtij produksioni ka qenë që urtësia e figurës së Xhemajl Abrisë të bartet e të prezantohet tek audienca e vendit, veçmas tek ajo e moshës së re.
“Jemi duke jetuar në një shoqëri bashkëkohore e cila ka elemente tradicionale të ndërthurura në të. Mendoj se është një lloj kontrasti i madh që ne e përjetojmë si gjeneratë, sepse ende i kemi të jetësuara normat tradicionale që i jetojmë çdo ditë. Mendoj që, në këtë rast, urtësia e Xhemajl Abrisë është e nevojshme për shoqërinë tonë. Paqja është parësore. Në të njëjtën kohë kemi menduar që edhe diaspora dhe gjeneratat e reja të njihen me pjesën shpirtërore dhe tradicionale të shoqërisë sonë”, ka deklaruar Surroi.
Nëpërmjet projektit artistik, në ekranin televiziv përcillen në kohë moderne mesazhet e më shumë se një shekulli më parë si një lloj retrospektive. Veçmas si reflektim mbi narrativën e funksionimit të vendit kur fjala ishte ligj. Personazhi kryesor është figura erudite e “Pleqnarit të Kosovës”.
Episodi i pestë i serialit do të transmetohen në Kohavision të premten. Surroi ka konfirmuar se kanë filluar xhirimet edhe të pesë episodeve tjera, porse planet me këtë projekt janë edhe më të mëdha.