Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka thënë se Komuna e Prishtinës ka ndarë edhe 400 mijë euro për konsulencë dhe se në mesin e përfituesve janë ish-kandidatë për asamble dhe familjarë e të afërm të zyrtarëve komunalë.
Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se ky tender është vazhdim i keqpërdorimit të parasë publike nga pushteti aktual.
“Rasti i fundit është një kontratë për konsulencë për mbikëqyrje të projekteve, vlera 400 mijë euro për 3 vjet, kurse sipas kritereve bëhej fjalë për 10 ekspertë kurse si fitues ishin shpallur 6 prej tyre. E çuditshme është se ata emra janë të njohur për jetën publike politike në kryeqytet. Edhe kjo është në vazhdën e keqpërdorimeve të parasë publike”.
Sveçla tha se asnjë projekt nuk është duke u zhvilluar që nga kryetari i komunës, Përparim Rama, që nga marrja e detyrës.
“Kur nuk shohim projekte që po zhvillohen, definitivisht kemi keqpërdorim të parasë publike. Ajo që pamë në dosjen e publikuar është se kërkohen mbikëqyrës të projekteve por nuk flitej për çfarë projekte”.
Sipas tij, problemi qëndron se dhënia e kontratave të tilla po bëhet dukuri.
“Problematika është se po bëhet si dukuri kjo. Është ende në procedurë një tender tjetër 12 milionë që ka të bëjë me konsulencë. Ndërkohë të njëjtit këta 10 persona që kërkohen në thirrjen e fundit, thirrja ka të bëjë me mbikëqyrës të projekteve, për thirrjen e njëjtë të njëjtën persona... përfituesit janë persona të afërt me pushtetin. Ka ish-kandidatë për asamble, familjarë të zyrtarëve komunale”, tha ai.
Sveçla theksoi se përmes këtij tenderi është synuar punësimi i personave të cilët nuk kanë mundur t’i punësojnë sipas rregullit, por që kanë gjetur këtë mënyrë.
“Është bë një lloj punësimi i këtyre personave sepse nuk ka pasur mundësi ligjore të veprohet ndryshe dhe e kanë shpikur këtë fjalën konsulencë dhe janë pranuar këta persona që janë të afërt me persona në pushtet. Janë mbi 1 mijë euro në muaj për 3 vjetët e ardhshme”.