Arbëri

Asamblisti i VV-së në Prishtinë: Skandaloze që Komuna ndau 12 mln euro për konsulencë

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, e ka quajtur skandaloz vendimin e Komunës për të ndarë 12 milionë euro për të blerë konsultime për themelimin e shërbimit të arkitektit për nevoja të kryeqytetit.

Sveçla thotë se për këtë vendim janë njoftuar nga mediat dhe në uebfaqen e Komunës më vonë, porse shton se janë në terr informativ për këtë çështje.

“Nuk është një vendim i Kuvendit Komunal. Nuk është aprovuar në Kuvendin Komunal. Ne jemi njoftuar përmes uebfaqes së Komunës. Është një vendim skandaloz, i cili do të zgjasë tre vjet. Nuk flitet për ndonjë projekt konkret. Do t’i jepet një kompanie vetëm për konsulenca. Jemi plotësisht në terr informativ për këtë projekt. Është një abuzim dhe keqmenaxhim me paranë publike”, ka thënë Sveçla në “60 Minuta” të KTV-së.

Asamblisti i VV-së tregon se janë duke bërë hulumtimet e nevojshme me ato pak informacione që kanë për të marrë masat e nevojshme.

“Jemi duke bërë hulumtimet e nevojshme për të shikuar si është bërë ndarja buxhetore. Nuk kemi informacione të mjaftueshme, por po mundohemi me ato të dhëna që na japin organet kompetente të Komunës. Kjo punë nuk do të përfundojë me kaq, vetëm po i presim faktet që do të na japin zyrtarët komunalë”, shtoi ai.

Sveçla tutje shprehet se me këto 12 milionë euro mund të punohej për t’i rregulluar problemet më të mëdha me të cilat përballen qytetarët e kryeqytetit, siç janë sipas tij, mbeturinat, qentë endacakë, rrugët e pandriçuara e gjëra të tjera.

Ai është kritik edhe për mënyrën se si po trajtohet opozita nga koalicioni qeverisës në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

“Nuk jemi të kënaqur për mënyrën se si trajtohemi në KK. I kemi përkrahur propozimet e pushtetit që kemi menduar se janë në të mirë të qytetit, ndërsa propozimet tona nuk janë përkrahur nga koalicioni qeverisës. Për atë edhe u larguam nga seanca e fundit”, deklaroi Sveçla.