Arbëri

Kopshti “Klea” kërkon kalimin nga privati në atë me bazë në komunitet

Nën tingujt e muzikës shijojnë lojën në oborrin e kopshtit që e frekuentojnë çdo ditë. Ndërsa brenda fëmijët e tjerë po zhvillojnë aktivitetet ditore.

Janë këta fëmijët e kopshtit privat “Klea”, të cilët gjenden në fillim të lagjes “Veternik”.

Megjithëse kjo lagje është në zhvillim e sipër dhe banorët sa vijnë e shtohen, në këtë pjesë nuk ka asnjë kopsht publik e as me bazë në komunitet.

Si i tillë, ky kopsht ka një kohë të gjatë që ka bërë kërkesën në Komunën e Prishtinës, që të kalojnë nga privati në kopsht me bazë në komunitet.

Me 1200 metra objekt, kuzhinë që përgatisin vetë ushqimin, klasa me hapësira të mëdha, ballkon të gjerë dhe 8 ari oborr, përfaqësuesit e këtij institucioni parashkollor thonë se plotësojnë të gjitha kushtet që të kalojnë në partneritet publiko-privat.

“Kërkesën e kemi bërë në qeverisjen e parë të Shpend Ahmetit, por përgjigje nuk kemi marrë. Është e rëndësishme sa për ne edhe për fëmijët, sepse situata në Kosovë dihet çfarë është. Prindërit nuk kanë mundësi që të paguajnë kur kanë 2 apo më shumë fëmijë në kopsht”, thotë menaxherja e kopshtit, Nurten Janovali-Çitaku.

Nurten Janovali-Çitaku, menaxhere e kopshtit “Klea” thotë se në mandatin e ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ata kanë bërë një kërkesë të tillë, përderisa e kanë për synim të bëjnë edhe një kërkesë tjetër, në muajin e ardhshëm.

“Mendojmë se është i përshtatshëm, sepse ky vend është në ndërtim e sipër, ka shumë banorë dhe në këtë anë nuk ka kopsht publiko-privat. Kërkesën e kemi në plan të bëjmë në muajin e ardhshëm, kopshti i plotëson të gjitha kushtet”, tha ajo.

Driton Arifi, prind i trenjakëve që frekuentojnë këtë kopsht, thotë se për të do të ishte më e lehtë në qoftë se do të bëhej ky kopsht me bazë në komunitet.

“Me qenë çerdhe publiko-private do të kishte qenë një lehtësim për ne, sepse kështu duhet të paguaj më shumë se gjysmën e pagës çerdhen, pra është problem me mbijetua ose të rrezikosh të lësh punën, sepse është e papërballueshme”, thotë Arifi.

Por, Komuna e Prishtinës thotë se ata janë në fazën e analizimit të gjendjes aktuale.

Në një përgjigje për KOHËN ata thonë se për momentin nuk do të bëjnë ndonjë transformim nga çerdhet private në ato me bazë në komunitet.

“Ende jemi duke e analizuar gjendjen. Për momentin nuk do të bëjmë asnjë transformim nga çerdhet private në çerdhe me bazë në komunitet”, thuhet nga Komuna e Prishtinës.

Ndryshe, Komuna e Prishtinës i menaxhon 8 kopshte publike dhe 9 kopshte me bazë në komunitet, duke përfshirë SOS kopshtin.