Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se marrëveshja me festivalin “Sunny Hill” ka qenë që çdo tre vjet të rishikohet dhe pas 25 vjetëve, prona e dhënë në shfrytëzim mund t’i kthehej Komunës. Rama thotë se “numri 99” është ai që i ka penguar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. “Numrin 99 nuk e kam sjell unë, por e kam gjet këtu”.
Afati prej 99 vjetësh për dhënien në shfrytëzim të hapësirës në Bërnicë të Poshtme ishte vija ndarëse mes Qeverisë dhe organizatorëve të "Sunny Hillit", për zhvendosjen e festivalit nga Prishtina në Tiranë.
“Qeveria ka qenë në dijeni për marrëveshjen. Kontrata parasheh që për tre vjet me radhë nëse s’mbahet festivali për çfarëdo arsye, prona i kthehet Komunës. Hapësira e dhënë në shfrytëzim gjatë gjithë vitit do të jetë park publik i hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës. Komuna do të ketë dispozicion 60 ditë në vit për organizim të festivaleve të tjera. Sa po të nënshkruhej kontrata, Komuna do ta krijonte organin mbikëqyrës. Në marrëveshje ka qenë rishikimi çdo tre vjet. Në 25 vjet, prapë rishikohet dhe mund t’i kthehet Komunës”, ka thënë Rama në konferencë për media të enjten.
Ai u shpreh se është paraparë që profiti i kryeqytetit nga ky festival sivjet të ishte rreth 12 deri në 15 milionë euro.
Për zhvendosjen e festivalit nga Prishtina në Tiranë, Rama ka thënë se është faj kryekëput i zvarritjes së Qeverisë.
“Sunny Hill i takon Prishtinës, i takon të rinjve dhe të rejave tona që me padurim e kanë pritur këtë festival. Arsyeja pse s’po mbahet është kryekëput i zvarritjeve të Qeverisë. Kjo zvarritje i ka bërë dëm rinisë, ekonomisë, kulturës së Prishtinës. Kjo çështje nuk është dashur të bëhet politike. Ftoj Qeverinë të ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe të legjitimojë vendimin e Komunës së Prishtinë”, ka thënë Rama.
Kryetari i Prishtinës premtoi se do të bëjnë çmos që nga viti i ardhshëm ta rikthejnë festivalin sërish në kryeqytetin e Kosovës.