1 perditesime
19:34

Banorët e lagjes “Lakrishtë” kundërshtojnë aksionin për konfiskimin e veturave

Një aksion i “Prishtina Parking” për t’i bllokuar veturat e banorëve të lagjes “Lakrishtë” në kryeqytet dështoi pas rezistencës së banorëve të kësaj lagjeje.

Punëtorë të kësaj kompanie bllokuan disa vetura në rrugën “Viktor Majer” dhe tentuan t’i konfiskojnë, me pretendimet se disa banorë nuk kanë kryer pagesën mujore.

Banorët këto veprime i cilësuan si të kundërligjshme.

Për të vëzhguar gjendjen të pranishëm ishin Policia e Kosovës dhe Inspektorati Komunal.

“Parkingje publike llogariten kur janë të shenjëzuar horizontalisht, vertikalisht me shenjë tabelës dhe me ngjyra, gjë që mund ta vërtetoni se parkingu jonë nuk i plotëson këto kushte”, tha Jahë Balaj, banor i lagjes “Lakrishtë”.

"Një javë më parë jam takuar me drejtorin e Prishtina Parking, ka thënë që nuk guxojnë në konfiskimin e veturave pa qenë të shenjëzuar parkingjet”, tha Vedat Ismaili, banor tjetër në këtë lagje.

Për mungesën e shenjëzimit në këtë lagje zyrtarët e Prishtina Parking u arsyetuan se kjo nuk është bërë shkaku i kushteve atmosferike.

"Kontrata është e aprovune, me kompaninë vijat kanë me u qitë si të fillon sezona me u nxehë", tha zyrtari i Prishtina Parking.

Zyrtarët e ndërmarrjes “Prishtina Parking” u detyruan t’i zhbllokojnë veturat, pasi Inspektorati kërkoi që t’u japë më shumë kohë banorëve për të kryer obligimin mujor.

17:09

Banorët në Lakrishtë kundërshtojnë bllokimin e veturave nga Prishtina Parking

Prishtina Parking kishte bllokuar disa vetura në lagjen “Lakrishtë” në Prishtinë me pretendimin se banorët nuk kanë kryer obligimin mujor.

Këtë veprim të Prishtina Parking banorët e kundërshtuan duke protestuar e duke mos i lejuar punonjësit e kompanisë që t’i konfiskojnë veturat.

E pranishme ishte edhe Policia e Kosovës. Ndërsa me kërkesë të banorëve ka ardhur Inspektorati i Komunës së Prishtinës që i kërkoi Prishtina Parkingut t’i zhbllokojë veturat dhe t’u japë banorëve afat për të kryer obligimet.

Veturat janë zhbllokuar nga Prishtina Parking.

Banori Jahë Balaj ka thënë se veprimet e Prishtina Parkingut janë të kundërligjshme pasi në pjesën e tyre nuk ka asnjë shenjëzim.

 

E nga Prishtina Parking është thënë se kushtet atmosferike ua kanë pamundësuar rregullimin e infrastrukturës së parkingut, porse do të ndodhë kjo shumë shpejt.