Arbëri

Me sloganin “E para Prishtina”, AAK-ja synon fitoren në kryeqytet

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot në një takim solemn ka prezantuar programin e saj për Prishtinën, me të cilën do të paraqitet në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, e që synon për herë të parë mandatin e qeverisjes në kryeqytet.

Me sloganin “E para Prishtina”, kjo parti ka shpalosur listën e kandidatëve për Asamble të cilës do t’i prijë kandidati për kryetar, Daut Haradinaj.

E lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka lavdëruar vëllain e tij për kontributin e dhënë në luftë dhe paqe, duke thënë se ‘’Prishtina ka shumë punë. Këto punë i kryen veç Dauti, i cili ka vizion, ka zemër të madhe dhe ka vullnet, bashkë me kandidatet e kandidatët për Prishtinën".

Ai shtoi se Prishtina ka gjak të ri që i vjen nga e gjithë Kosova dhe trevat shqiptare, me mijëra të rinj, vendosin çdo vit të jetojnë këtu në Prishtinë, duke e pasuruar gjithmonë me energji të reja.

“Prishtina ka shpirt që i mbijetoi të gjitha krizave dhe tragjedive, jetoi dhe qëndroi në çdo kohë, ka shpirt që jetoi edhe në luftë, jetoi në lëvizjet e veta, në qytetarinë dhe stilin e veçantë, edhe jashtë vendit. Prishtina ka gjak të ri që i vjen nga e gjithë Kosova dhe trevat shqiptare, Me mijëra të rinj, vendosin çdo vit të jetojnë këtu në Prishtinë, duke e pasuruar gjithmonë me energji të reja. Prishtina ka vizion, resurse dhe mundësi. Prishtina është gati sot për të qenë shpresa dhe për të dhënë jetë qytetarëve të Prishtinës”, përfundoi i pari i AAK-së.