Ngritja e temperaturave ka mbushur sheshet e Prishtinës me shitës ambulantë. Shefi i sektorit të rendit komunal në Komunën e Prishtinës, Alban Ymeri, ka deklaruar se kanë angazhuar një ekip të veçantë për të bërë mbikëqyrjen e shesheve.
“Ne si Inspektorat i rendit komunal edhe përkundër angazhimeve që i kemi në terren, jemi vazhdimisht prezentë në shesh, mirëpo tani jemi duke caktuar ekipe të veçanta të cilët kanë për të mbikëqyrë vetëm sheshin, ashtu që të garantohet rend dhe rregull në sheshet kryesore të sheshit dhe të qytetit. Gjithë atyre të funksionojnë ilegalisht, inspektorët do t’u shqiptojnë gjoba dhe do t’i konfiskojnë ato mallra të cilat i prezantojnë përpara në shesh. Dje dhe sot kemi pasur aksion me policinë, dhe bashkë me kompaninë tonë kemi dal në mënyrë që të gjithë ata që s’largohen t’u konfiskohet edhe malli, përveç procedurave ligjore që merren ndaj tyre”, ka thënë ai për EO.
Sipas tij, inspektorët komunalë konfiskojnë mallrat në këtë zonë pothuajse çdo ditë, ndërsa disa kioska janë me leje dhe pritet t’u vazhdohen ato.
KOHA ka raportuar javë më parë për shitësit ambulantë që i kanë shndërruar sheshet e Prishtinës në tregje.