Arbëri

Rrethrrotullimi, zgjidhje apo shkaktar tollovie?

Kyçjet dhe çkyçjet e parregullta në rrethrrotullimin te Flamuri në Prishtinë, meqë ky lidh disa pjesë të kryeqytetit, po shihen si shkaktarë kryesorë të aksidenteve dhe kolonave të gjata në komunikacion.

Sipas vozitësve dhe njohësve të komunikacionit, tollovia është ajo që po e karakterizon pothuajse çdo rrethrrotullim të vendosur në kryeqytet.

Vetëm në vitit 2020, 300 aksidente me dëme materiale dhe lëndime të lehta kanë ndodhur në rrethrrotullimet e Prishtinës.

E, për këtë, Ligji për siguri në trafikun rrugor ka paraparë 100 euro gjobë për shkelësit e komunikacionit në rrethrrotullim.

Rrethrrotullimet shihen si efikase për zvogëlimin e ngarkesës dhe numrit të aksidenteve në komunikacion, por, sipas ekspertit të komunikacionit rrugor, Rifat Krasniqi, kjo nuk është e mjaftueshme, pasi infrastruktura standarde e tyre mungon.

“Në shumë rrethrrotullime kemi vonesa për shkak të mungesës së projektimit të duhur ose mosmatjes së fizibilitetit të dendësisë së qarkullimit, kapacitetit dhe fluksit që vepron në atë pjesë të rrugës. Rrethrrotullimet zakonisht zvogëlojnë aksidentet, por te ne është e kundërta, kemi shumë aksidente në rrethrotullim, si shkak kryesor është mosnjohuria e duhur e ngasësve në rreshtimin paraprak për kyçje dhe shkyçje në rrethrrotullim, duke mos pasur njohuri shkakton dhe vjen deri tek aksidentet. Mënyra më e mirë për ngasësit është me kalu në disnivele sikurse qysh e ka secili qytet evropian, për arsye se e eliminon humbjen kohore dhe nuk ka mundësi të ketë aksidente”, ka thënë Rifat Krasniqi, njohës i komunikacionit rrugor.

Së fundmi, Komuna ka ndarë fizikisht korsitë e disa rrethrrotullimeve për të mos i lejuar kalimet e parregullta. Sipas njohësit të komunikacionit, Rifat Krasniqi, rrethrrotullimi me ndarës fizikë në rrugën B ka bërë zgjidhje edhe përkundër që nuk është sipas standardeve të komunikacionit rrugor, por ndarësit në rrethrrotullimin në Arbëri janë të panevojshëm.

Ndërsa qytetarët thonë se vështirë mund të rregullohet komunikacioni në kryeqytet.

E, Nazmi Zogaj, toger nga Policia e Kosovës, ka thënë se kryeqyteti ka ngarkesë të theksuar të komunikacionit rrugor, për shkak se vozitësit nuk po i respektojnë rregullat e komunikacionit rrugor.

“Nëse qytetarët i respektojnë rregullat e komunikacionit në rrethrrotullim nuk do të ketë pengesa, sepse zakonisht edhe aksidentet rrugore të cilat ndodhin në rrethrrotullim janë me dëme materiale. Në rrethrrotullime që kemi në qytet, në rrethrrotullimin e Flamurit, te rruga Tiranë, rethrrotullimi në dalje të Prishtinës, kemi aksidente por janë me dëme materiale ose me lëndime të lehta”, ka thënë Nazmi Zogaj, toger nga Policia e Kosovës.

Gjatë vitit 2020, 300 aksidente me dëme materiale dhe lëndime të lehta kanë ndodhur në rrethrrotullimet e Prishtinës.

E, për ta shtuar sigurinë dhe rritur efikasitetin në qarkullim, Komuna po synon që të krijojë rrethrrotullimin e quajtur “Turbo”.

“Rrethrrotullimet në Komunën e Prishtinës në përgjithësi janë të projektuara, me përjashtim të rrethrrotullimit në udhëkryqin e rrugës Agron Rrahmani me Xheladin Hana, i cili është i përkohshëm, që përkundër që është i përkohshëm paraprakisht janë bërë matjet e nevojshme. Ndryshimet në rrethrrotullime janë të planifikuara, ku kryesisht parashihet të bëhet ndarje në shirita (kufizim i ndërrimit të shiritit në vendet ku nuk lejohet) dhe krijimi i ishujve. Si investim më të madh që parashihet të bëhet është në udhëkryqin te “Rrethi i flamurit”, ku parashihet të ridizajnohet si “rreth rrotullim turbo”. Çdo element i infrastrukturës kur realizohet paraprakisht bëhen matjet e nevojshme dhe në funksion të infrastrukturës ekzistuese përcjellëse, hapësirës, dhe të shumë elementeve të tjera bazë për projektim zgjidhet edhe forma adekuate”, ka thënë Enver Kadriu, nga Drejtoria e Shërbimeve Publike.

Deri në krijimin e zgjidhjeve, komunikacioni në Prishtinë, sidomos në orët e pikut, do të jetë i ngarkuar.