Arbëri

Punime në Parkun e Qytetit, ndërtohen edhe tualete

Descriptive Text

Hapësira sportive së bashku me tribunën për shikuesit, kënde të reja të lodrave dhe shtigje të rinovuara do të jenë disa nga ndryshimet që priten të bëhen në Parkun e Qytetit.

Risi do të jenë edhe tualetet publike, të cilat kanë qenë mungesë e që ishin kërkesë e kamotshme e qytetarëve.

Megjithëse është rinovuar në vitin 2017 duke u bërë disa ndryshime, Komuna e Prishtinës e ka parë të nevojshme që të fillojë përsëri punimet në të.

Me investim prej 400 mijë eurove, Drejtoria e Parqeve synon që të plotësojë nevojat e qytetarëve që e frekuentojnë atë rregullisht.

“Parku i qytetit nuk ka pasur tualete dhe kësaj radhe është e paraparë edhe ndërtimi i tualeteve publike, kjo si nevojë e domosdoshmëri e kërkuar nga qytetarët, dhe se ajo lidhet me të gjitha pjesët e qytetit dhe e kemi parë të arsyeshme të bëhen. Ato do të jenë funksionale dhe do mirëmbahen prej ndërmarrjes publike lokale ‘Holtikultura’”, ka thënë drejtoresha e Parqeve, Fatime Hajdari.

Këto dhe investime të tjera janë paraparë të përfundojnë brenda 200 ditëve.

“Në kuadër të parkut do vijnë edhe ulëset e reja, shportat e gjepit, gjithashtu edhe ndriçuesit që parku të jetë sa më i sigurt për të gjithë ata që e shfrytëzojnë...Varësisht planit dinamik të punës i kanë dikur 200 ditë pune efektive, varësisht edhe motit që merr, por këto punë do kryhen në afatin sa më shpejt të mundshëm”, tha Hajdari.

Investimet po i shohin shumë të domosdoshëm qytetarët. Madje ata tregojnë se çka duhet të ketë më shumë.

Për shkak të disa mungesave një banor thotë se kanë investuar edhe vetë disa herë.

Përderisa kanë filluar punimet në këtë park, lokale të reja po tentohen të hapen brenda zonës së parkut.

Me urdhër të Drejtorisë së Parqeve, “Holtikultura” ka mbuluar themelin e një kafeneje që kishte filluar të hapej gjatë natës pa pasur leje.

Ndërsa sa u përket lokaleve të tjera, të cilat operojnë pa leje në Parkun e Qytetit, Hajdari ka thënë se shumë shpejt pritet të merret një vendim për to.