Arbëri

Një vit pandemi, qytetarët kërkojnë vaksinën

Një vit nga shpallja e pandemisë e gjen Kosovën pa vaksina, përderisa shumica e shteteve fqinje kanë filluar tashmë të vaksinojnë popullatën e vet.

E gjatë kësaj periudhe, Prishtina ka qenë komuna me më së shumti raste.

Shumicën e kohës kryeqyteti është kategorizuar në zonën e kuqe, duke u ndërmarrë edhe masa më rigoroze për mbrojtjen ndaj COVID-19.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte i pari ai që në marsin e vitit të kaluar kërkonte të ndërmerreshin masa mbrojtëse që të mos rritej numri i të infektuarve nga ky virus.

Ahmeti për t’i ndihmuar qytetarët e komunës që ai udhëheq, gjatë kësaj periudhe ka premtuar ndihma në shumën prej 50 eurosh, mirëpo numri më i madh i tyre nuk është ekzekutuar ende.

Ndihmë ka premtuar edhe për bizneset, por shumë nga to po ankohen se ende nuk i kanë marrë mjetet për të cilat kanë aplikuar.

KOHA ka shprehur interesim për intervistë me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, për këto tema, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i gatshëm.

Është vetëm rrjeti social Facebook, të cilin ai po e përdor kohëve të fundit për të komunikuar me qytetarët edhe kur bëhet fjalë për pandeminë.

Postimi i tij i fundit për situatën me COVID-19 ishte i dy dite më parë, ku ka fajësuar të gjitha partitë politike për injorimin e masave gjatë fushatës.

E qytetarët mendojnë se Ahmeti nuk e ka menaxhuar mirë Prishtinën gjatë kësaj periudhe të pandemisë.

Madje, ata po kërkojnë që mjetet prej 50 eurosh t’iu dalin sa më parë.

Sa i përket dënimeve, gjatë një viti pandemik Komuna e Prishtinës nuk ka shqiptuar asnjë dënim për qytetarët. Dënimet e vetme ua ka shqiptuar partive politike gjatë fushatës elektorale.

Ndryshe, e gjithë kjo periudhë ka qenë mjaft e rëndë për Shëndetësinë. Ushtruesi i detyrës së drejtorit në Klinikën Infektive, Izet Sadiku, ka thënë se gjatë kësaj periudhe rreth 60 për qind e doktorëve janë infektuar së bashku me pacientë.

Ndryshe, vetëm në dy javët e fundit janë regjistruar mbi 7 mijë raste pozitive në gjithë Kosovën, e më shumë se 60 vdekje nga ky virus.