Arbëri

Pritoret e reja pa orare të linjave private

Miradie Salihu po pret autobusin i cili e dërgon te Pallati i Drejtësisë. Por, ajo nuk e di se për sa minuta mbërrin linja private 10B që e dërgon atë në Hajvali.

Kjo, pasi në pritoret e reja nuk janë vendosur oraret e mbërritjes së autobusëve të linjave private, bashkë me ato të autobusëve të Trafikut Urban.

Sikur Salihu, edhe shumë qytetarë shfrytëzojnë linjat private pasi që 51 autobusët e Trafikut Urban nuk mbulojnë tërë kryeqytetin.

Kurse, udhëtarët që shfrytëzojnë transportin publik kërkojnë që t’u bëhet zgjidhje edhe qytetarëve që përdorin linjat private, transmeton KOHA.

Se oraret duhet të përditësohen me vajtje-ardhjet e operatorëve privatë thotë edhe Izet Smajli, përfaqësues i këtyre linjave.

Smajli ankohet se përpos orareve, komuna vazhdon të mos e mbajë premtimin për kontratat me operatorët privatë, përmes të cilave, ata do të paguheshin nga komuna për kilometër, njëjtë siç veprohet me Trafikun Urban.

Mirëpo, komuna thotë se aktualisht janë në fazën testuese të ekraneve që shfaqin kohën e mbërritjes së autobusëve.

Sipas drejtorisë për Shërbime Publike edhe oraret e operatorëve privatë do të përfshihen në pritoret e reja.

Deri më tani janë vendosur 6 pritore të reja nga 150 gjithsej sa janë planifikuar për tri vjet.