Arbëri

​Rifilloi linja e trafikut urban për në Aeroportin e Prishtinës

Descriptive Text

Nga e shtuna është rikthyer linja e autobusit të Trafikut Urban për në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”.

Ora 07:00 shënoi nisjen e parë nga stacioni i autobusëve në kryeqytet në drejtim të aeroportit, derisa kthimi i fundit do të realizohet në orën 20:00.

Bartja e maskave si dhe distanca sociale, janë ndër masat që duhet t’i respektojnë udhëtarët. Këtë e ka bërë të ditur, kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban”, Lulzim Rexhepaj.

Ai për ”kp” ka thënë se linja do të realizohet me një orar më të reduktuar për shkak të pandemisë.

“Sot ka filluar linja e aeroportit që e quajmë Linja 1A, duke filluar operimin nga ora 7:00, nisja e parë nga stacioni i autobusëve, në drejtim të aeroportit, ndërsa nisja e fundit apo kthimi i fundit nga aeroporti është në ora 20:00. Siç dihet ndërprerja ka ndodhur si rezultat i përhapjes së pandemisë, me ç ‘rast u ndërprenë edhe fluturimet. Edhe ne e kemi ndërprerë qarkullimin në këtë linjë. Tani e filluam me një orar më të reduktuar sepse edhe për një kohë për shkak të pandemisë, përdorimi i autobusëve do të jetë më i vogël”, ka thënë Rexhepaj.

Rexhepaj theksoi se me kufizimin e numrit të personave në 20 në autobus, është vështirësuar qarkullimi duke u zvogëluar të hyrat, derisa thotë se për kompaninë në fjalë shërbimi ndaj qytetarëve është primar.

“Me masat që jemi duke i ndërmarr që janë rekomandime nga institucionet përgjegjëse, është vështirësuar qarkullimi, por kemi hasur në një mirëkuptim që me këtë rast dua t’i falënderoj qytetarët sepse e respektojnë shumë mirë kufizimin që është 20 persona brenda autobusit si dhe vendosja e maskave...Të hyrat janë shumë të vogla, po me rëndësi për neve si ndërmarrje është shërbimi ndaj qytetarëve që hyn në shërbimet esenciale për qytetarët. Prandaj ne duhet të vazhdojmë me shpresë që pas një kohe do ta kalojmë pandeminë dhe t’i kthehemi normalitetit”, thotë ai.

I pari i “Trafikut Urban”, i njoftoi qytetarët se përdorimi i autobusëve është i sigurt dhe se dezinfektimet po bëhen në baza ditore.