Arbëri

Qytetarëve u kërkohet t’i paguajnë shërbimet e rrymës dhe të ujit

Me përhapjen e virusit COVID-19 janë shtuar edhe masat e sigurisë që Komuna e Prishtinës i ka ndërmarrë për qytetarët.

Me thirrje të shpeshta dhe të theksuara, Komuna u bëri thirrje qytetarëve që të mos dalin pa nevojë derisa u këshilluan që të izolohen në shtëpitë e tyre.

Derisa janë nën izolim është rritur edhe konsumi i shërbimeve të ndryshme, si: uji, energjia elektrike e ngrohja.

Qytetarë të vendit thonë se, duke ndjekur këshillat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, është rritur edhe nevoja për shfrytëzim të ujit.

Ndërkohë zëdhënësja e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Prishtina”, Arieta Mjeku, thotë se konsumi i ujit është rritur ndjeshëm ditëve të fundit.

Shkaku është përdorimi i shpeshtë bazuar edhe në rekomandimet e dhëna nga MSH-ja e IKSHPK-ja.

Megjithatë, Mjeku thotë se qytetarët duhet të kenë parasysh që të mos e shpërdorojnë shërbimin me ujë pasi që, sipas saj, gjatë javëve në vazhdim do të ketë më së shumti nevojë për ujin si shërbim primar.

Mjeku tutje shton se Ujësjellësi nuk ka mundësi që të lirojë qytetarët nga pagesa dhe se secili prej tyre duhet të paguajë borxhet.

Ndërsa nga Qeveria u tha se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të lirohen nga pagesa e shërbimeve të tilla.

Një tjetër shërbim që qytetarët e Prishtinës do ta paguajnë është edhe energjia elektrike.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka bërë të ditur se qytetarët nuk do të lirohen nga pagesat dhe se çdo shërbim i ofruar atyre do t’u faturohet.

‘’Sigurisht që secili shërbim që ofrohet duhet edhe të faturohet, sepse ndryshe e pamundëson vazhdimin e shërbimeve’’, ka thënë Buzhala për emisionin “038”.

Ndërkohë ai po ashtu ka informuar se edhe me gjithë krizën e pandemisë shërbimet për qytetarët do të vazhdojnë ndërsa, sipas tij, është rritur shërbimi për konsumatorët e amvisërisë.

‘’Konsumatorët duhet të kenë kujdes të shtuar në shpenzimin e energjisë elektrike, pasi me ftohjen e kohës gjatë kohëve të fundit janë krijuar mbingarkesa që kanë dërguar deri në tejnxehje të pajisjeve, që për pasojë kanë pasur mosfunksionimin e sistemit për pjesët e prekura. Në këto rrethana, duke e marrë parasysh edhe faktin e domosdoshmërisë së furnizimit me energji elektrike në këtë kohë pandemike, KEDS-i lut të gjithë konsumatorët që të kenë kujdes maksimal në shfrytëzimin e energjisë elektrike, duke e përdorur atë në mënyrën më efikase të mundshme dhe duke e kursyer atë, sidomos aty ku kanë mundësi ta bëjnë këtë. Kjo do të lehtësonte shumë barrën e KEDS-it dhe të KESCO-s për ofrimin e shërbimeve sa më kualitative dhe të vazhdueshme’’, u shpreh ai.

Shërbim tjetër me të cilin po furnizohen qytetarët e Prishtinës në kohën e izolimit është edhe ai i ngrohjes.

Ndërsa me uljen e temperaturave ata thonë se ky shërbim është më se i nevojshëm.

Zëdhënësja e ngrohtores së “Termokosit”, Afërdita Uka, përmes një përgjigjeje me shkrim i ka thënë televizionit se furnizimi me ngrohje do të vazhdojë deri më 15 prill, varësisht edhe prej kushteve klimatike.

Ndërkaq ka shtuar se “Termokosi” është duke furnizuar vazhdimisht me ngrohje konsumatorët në këtë kohë.

Uka po ashtu ka bërë të ditur se për dallim nga shërbimet e KEDS-it dhe të Ujësjellësit, “Termokosi” do të zbatojë vendimin e Qeverisë për shtyrje të të gjitha pagesave deri më 30 prill.