PDK në Prishtinë: Nuk ka bazë ligjore për ndërtime në Badovc

PDK në Prishtinë: Nuk ka bazë ligjore për ndërtime në Badovc

23 January 2020 12:55

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë, vlerëson se nuk ka bazë ligjore për të ndërtuar në zonën e Liqenit të Badovcit.

Deputetja e kësaj partie, Eliza Hoxha, në një konferencë për media i ka bërë thirrje komunës së Prishtinës që të tregojnë se në cilën bazë ligjore është bazuar për dhënien e pëlqimit.

“Plani zhvillimor në këtë rast që është hartuar në vitin 2012 dhe që është miratuar në 2013 e adreson liqenin e Badovcit dhe komplet parkun e Gërmisë aktual në një zonë të përbashkët si park regjional me një status ligjor. Duke i përfshirë të dyja në një formë të barabartë. E dyta, përmes këtij plani natyrisht përcaktohet edhe zona, kufiri urban ku me ligjin e vjetër hartohet plani zhvillimor urban dhe këto i takojnë dokumenteve që janë hartuar në ligjin e vjetër që ka qenë në fuqi atë kohë. Dhe me planin zhvillimor urban zona në fjalë për të cilën janë dhënë kushtet urbanistike dhe kushtet e ndërtimit, dhe synohet të ndërtohet është zonë jashtë kufirit urban që nënkupton se kufiri urban është zona ndërtimore potenciale në 10 vjetët e ardhshme dhe krejt zona që është jashtë këtij kufiri nënkuptohet si zonë pyjore, natyrore dhe nuk është e paraparë për ndërtim”, tha Hoxha.

Sipas saj ka mungesë të dokumentacioneve të cilat i kanë ofruar ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe komuna e Prishtinës rreth kësaj çështje.

Madje, ajo tha se në bazë të ligjit kushtet ndërtimore nuk i lëshon Ministria e Mjedisit, por Komuna e Prishtinës, e cila ende nuk ka arritur të krijojë një vizion të qartë se si do ta zhvillojë qytetin.

“Për tërë këto vite të qeverisjes nuk ka arritur të krijojë vizion të qartë se si do ta zhvillojë qytetin, për këto dy mandate qeverisëse nuk ka vizion, harta zonale është nisur qe sa, ligji është miratuar në 2013, në 2014 vetëm sa ka hyrë në fuqi në 2020 ende nuk ka hartë zonale, se çka duhet bërë me qytetin e Prishtinës, në këtë rast edhe me liqenin e Badovcit”, tha ajo, përcjell kp.

Asamblisti i PDK-së në komunën e Prishtinës, Leutrim Ratkoceri kërkoi që sa më parë të thirret seanca e jashtëzakonshme komunale në të cilën do të diskutohet rreth mbrojtjes së Badovcit.

Ai i bëri thirrje Komunës së Prishtinës që të anulojë dhënien e pëlqimit për kushtet ndërtimore në zonën e liqenit të Badovcit.

“Kërkesa për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme është dorëzuar sipas procedurave të kërkuara në ligjet në fuqi. I bëjmë thirrje Komunës së Prishtinës që sa më parë të caktojë datën dhe orën e mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme në mbrojtje të liqenit të Badovcit. Thirrja e seancës së jashtëzakonshme ka për qëllim mbrojtjen e liqenit të Badovcit që është jetik për qytetarët e Prishtinës. Çdo tentim për të zhvilluar aktivitete afariste dhe banesore në afërsi të liqeni është i papranueshëm dhe nuk duhet të lejohet. Ftojmë kryetarin Shpend Ahmeti, drejtorin e Urbanizimit dhe drejtorinë e Inspeksionit që të anulojnë dhënien e pëlqimit për kushtet ndërtimore të lëshuara për ndërtim në afërsi të liqenit të Badovcit”, tha Ratkoceri.

Projekti për ndërtimin e një lagje në zonën e Liqenit të Badovcit nga Investitori KAWA Group, 4M Group si dhe një pronari privat të tokës, ka ngjallur reagime të shumë qytetarëve, të cilët janë shprehur kundër.

Lidhur me shqetësimin e qytetarëve për mundësinë e fillimit të ndërtimit te liqeni i Badovcit ka reaguar edhe ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit, Fatmir Matoshi. Ai ka thënë se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk ka kompetenca që në këtë rast të lëshojë leje ndërtimore.

Ministria po ashtu, sipas Matoshit nuk ka pranuar aplikim e as nuk ka dhënë pëlqim mjedisor për kompanitë dhe pronarin e tokës në fjalë, ku po thuhet se do të ketë ndërtime.

Ministri në detyrë, përmend gjatë sqarimit të tij se MMPH ka përgjegjësi që përveç pjesës së Planifikimit Hapësinor, të mbrojë edhe Zonën e Mbrojtur Ujore të liqenit të Badovcit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme