Arbëri

“Prishtina e Secilit”, platformë nga Komuna që synon ndalimin e diskriminimit në shoqëri

Drejtori i Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës Dren Kukaj, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se Komuna e Prishtinës do të ketë platformën e saj për mirëqenia sociale.

Platforma, është quajtur “Prishtina e Secilit.

Kukaj shkruar se me të gjitha vështirësitë e jetës në qytetin tonë, Prishtina nuk është e njëjtë për secilin.

“Është më e vështirë për atë që ka pak. Atë që nuk ka. Atë që nuk mund të lëviz. Atë që nuk mund të shoh. Atë që nuk mund të dëgjojë. Atë që nuk e kupton gjuhën e shumicës. Atë që është më ndryshe se shumica. Me një fjalë, nuk është për secilin”, shkruan Kukaj.

Andaj, shkruan tutje ai, Komuna e Prishtinës do ta ketë platformën e saj për mirëqenie sociale “PRISHTINA E SECILIT”.

“Kjo platformë do jetë një tërësi e masave konkrete që për qëllim përfundimtar kanë avancimin e fuqizimin e pjesëtarëve të komuniteteve të njerëzve të margjinalizuar, diskriminuar e rrezikuar të shoqërisë sonë”, shkruan ai,

Target grupet e platformës janë:

- Familjet me asistencë sociale;

- Të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuar;

- Gratë dhe fëmijët në situata të rënda sociale;

- Të moshuarit;

- Minoritetet etnike; dhe

- Pjesëtarët e komunitetit LGBT.

“Për secilën prej kategorive të lartcekura, platforma do prodhojë masa konkrete në drejtim të krijimit të infrastrukturës së nevojshme materiale e njerëzore asisoj që të krijohet një rrjetë e fuqishme mbrojtëse për banorët tonë brenda këtyre kategorive. Platforma do krijojë hapësirat e nevojshme përmes së cilave do krijohet mundësia e ofrimit të disa shërbimeve publike me qëllim që të arrihet një nivel optimal i ndihmës komunale për pjesëtarët e këtyre komuniteteve shoqërore. Gjithashtu, platforma do jetë krijojë korpusin e nevojshëm profesional të shërbyesve social përmes bashkëpunimit me organizata të specializuara të shërbimit psikosocial asisoj që t’i përgjigjemi nevojave bazike sociale në Prishtinë. Tutje, platforma do mbështes aktivitete të caktuara shoqërore përmes së cilave do rritet ndjenja e përkatësisë komunitare e për pasojë edhe avancimi e fuqizimi i këtyre pjesëtarëve të shoqërisë e po ashtu njëkohësisht do rritet niveli i pranueshmërisë së këtyre pjesëtarëve nga pjesa tjetër shumicë e shoqërisë”, shkruan Kukaj.

Kukaj, thotë tutje, “së bashku me organizatat që përfaqësojnë grupet e lartcekura shoqërore e institucionet tjera relevante, prej fillimit të vitit të ri e deri në kohën e draftimit final të buxhetit 2021 do të punojmë bashkërisht në identifikimit e të gjitha masave adekuate të kësaj platforme”.

“Kjo platformë përveç se në vete i përmban të gjitha premtimet elektorale të qeverisjes sonë që ndërlidhen me mirëqenie sociale, e njëjta përbëhet edhe nga masa tjera ndërhyrëse e të nevojshme për kategoritë e mbrojtura shoqërore. Qëllimi i kësaj platforme është vendosja e një rendi të qëndrueshëm institucional karshi plotësimit të një numri të shërbimeve të domosdoshme sociale të banorëve të qytetin tonë”, përfundon shkrimin Kukaj.