Arbëri

AKR-ja pyet nëse Ahmeti është kryetar i pavarur, VV-ja thotë se ai s’e çoi deri në fund dorëheqjen

Angazhim maksimal në detyrën e tij si kryetar Prishtine ka premtuar Shpend Ahmeti.

Derisa ka dhënë dorëheqje nga pozitat në krye të PSD-së, vendimi i tij është komentuar edhe nga partitë që përbëjnë Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Ndonëse janë në koalicion, në AKR thonë se duhet sqaruar nëse Prishtina tashmë ka një kryetar të pavarur, sikurse Rufki Suma i Hanit të Elezit.

I kontaktuar nga "038" i KTV-së, Ahmeti ka thënë se nuk është sikurse Suma pasi që mbetet anëtar i thjeshtë i PSD-së.

Vendimin e tij e kanë quajtur të vonshëm në opozitë. Për LDK-në, Ahmetit do t’i mbesin pa shfrytëzuar më shumë se 30 milionë euro.

Vetëvendosje thotë se Ahmeti i la dorëheqjet në gjysmë.

“Shpendi dorëheqjen është dashur ta plotësojë duke dhënë dorëheqje edhe si kryetar i Prishtinës, e jo vetëm në PSD”, ka thënë Egzon Azemi, i VV-së.

Por, AAK-ja e PSD-ja e vlerësojnë pozitivisht punën e bërë.

Shumica e partive, si ato në pushtet, edhe ato opozitare, kanë thënë se disa drejtorë komunalë kanë performancë të dobët dhe se vitin 2020, Ahmeti duhet ta nisë me ndryshime në kabinetin e tij.