Arbëri

Vazhdon shitja dhe përdorimi i thëngjillit, njërit nga ndotësit kryesor të ajrit

Që nga ulja e temperaturave, smogu ka mbuluar Prishtinën.

Kjo gjendje në kryeqytet po përsëritet tash e disa vjet, ku cilësia e ajrit llogaritet të jetë e dëmshme, raporton KTV.

Zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit thonë se po punojnë në këtë drejtim, por kërkojnë edhe bashkëpunim me pushtetin lokal në Kosovë.

Mirëpo, pavarësisht këtyre masave që thuhet se janë ndërmarrë, njohës të kësaj fushe thonë që nuk është bërë asnjë ndryshim për të përmirësuar cilësinë e ajrit.

Edhe pse Ministria e Mjedisit vitin e kaluar kishte marrë vendim që thëngjilli të mos përdoret si lëndë djegëse nga institucionet publike, ende nuk ka bërë ndonjë zgjidhje për familjet që e përdorin atë.

Kështu, Zeqir Veselaj, profesor i edukimit mjedisor, thotë se do të jetë e vështirë të largohet nga tregu kjo lëndë.

Thëngjilli ende vazhdon të jetë në treg në Prishtinë, e shtëpi të shumta në gjithë Kosovën e përdorin si lëndë për ngrohje, shkaku i çmimit më të lirë.