“Bukë e kripë e zemërbardhë”, hapet festivali që promovon gastronominë shqiptare

“Bukë e kripë e zemërbardhë”, hapet festivali që promovon gastronominë shqiptare

20 July 2019 15:15

Sot në kryeqytet nisi edicioni i parë i Prishtina Gastronomy Festival që ka për qëllim promovimin e gastronomisë shqiptare duke sjellë kuzhinën dhe traditat kulturore shqiptare. Ky festival që mblodhi kuzhinierët më të mirë shqiptarë, do të ketë edhe aktivitete që do ta shoqërojnë përgjatë dy ditëve.

Sipas organizatorëve, ky festival vjen si nevojë e promovimit të recetave dhe produkteve, si një nga elementet e ruajtjes së identitetit kombëtar. Edicioni i parë i këtij festivali është quajtur “Bukë e kripë e zemërbardhë”.

Koordinatorja për media e këtij festivali, Tanita Zhubi, tha se ideja fillestare e organizmit të një festivali të tillë është krijimi i një platforme ku kuzhinierët, antropologët, historianët dhe të gjithë të tjerët të kenë mundësi të diskutonin për traditën kulinare shqiptare.

“Qëllimi kryesor dhe ideja fillestare sepse është bërë festivali është krijimi i platforme ku kuzhinierët, antropologët, historianët, të gjithë kishin mundur me ardh me diskut për traditën kulinare shqiptare në tërësi. Tu e pa mungesën e një studimi ma serioz edhe një studimi të traditës kulinare shqiptare ka ardh edhe ideja e themelimit të festivalit dhe organizimit të një aktiviteti të tillë. Festivali synon me qenë një takim i përvitshëm i të gjithë këtyre akterëve që i përmenda me herët, të jetë një takim ku shpalosen idetë dhe krijohen mundësi për bashkëpunime të mëtejshme”, deklaroi ajo.

Aktivitetet të ndryshme të cilat e shoqërojnë festivalin gjatë dy ditëve janë forumet në të cilat diskutohet tema në lidhje me gastronominë. Po ashtu, është këndi i trashëgimisë ku flitet për trashëgiminë si dhe do të ketë gatime tradicionale nga gratë. Gjithashtu, do të ketë muzikë dhe punëtori me tema të ndryshme që do të mbahen në këtë festival.

Mirëpo, Zhubi zbuloi se po përgatitet edhe një edicion tjetër i këtij festivali, që më shumë do t’i përngjajë një panairi, që do të mbahet në Berlin. Sipas saj, atje synojnë të promovojnë produktet dhe kompanitë “Made in Kosova”.

“Edicioni i Prishtina Gastronomy Festival është një edicion shumë i vogël i asaj që na jemi duke e përgatit më shumë se një vit në organizmin e edicionit në Berlin. Edicioni i Berlinit do të ketë një karakter pak më ndryshe sesa edicioni i Prishtinës. Ai do të jetë një panair kisha ma e quajt me shumë i produkteve dhe kompanive që janë ‘Made in Kosova’”, vijoi ajo.

Shefi i kuzhinës, Përparim Babalija, tha se festivale të tilla i duhen Kosovës, pasi në vendet e rajonit vetëm brenda vitit organizohen deri në katër të tilla. Ai u shpreh se është promotor i kuzhinës shqiptare njëjtë sikurse edhe qëllimi i këtij festivali.

“Kosovës i duhen festivale të tilla sepse ne shumë jemi deficit me rajonin të cilët organizojnë festivale tre apo katër në vit, kurse në Prishtinë është për herë të parë që po mbahet. Dhe unë jam gjithmonë promotor i kuzhinës sidomos i asaj shqiptare dhe të gjitha produkteve të cilat ne, rajoni apo toka jonë na ofron”, tha ai.

Sot ai solli konceptin e tij origjinal që është bashkimi i lëndëve të para më të mira. Pjata e shefit Babalija ishte e veçantë për arsye se aty nuk kishte mish apo peshk, por ishte përqendruar tek bota vegjetarianë.

“Sa i përket konceptit Përparim Babalija unë bashkoj lëndët e para më të mira, qofshin ndërkombëtare dhe vendore sepse jo gjithmonë kemi ato produkte cilësore të vendit ku çfarë ofron për shembull ana e Mesdheut apo ana e Azisë, por nuk është diçka që mundet me thënë është e vështirë. Filozofia është diçka shumë origjinale, të gjitha pjatat e mija që unë bëj është e gjitha me nënshkrimin tim, nuk ka kopje të një pjate, për shembull unë nuk gatuaj kuzhinë italiane, kuzhinë franceze apo gjermane apo tjetër, tjetër, kuzhina titullohet ‘Përparim Babalija concept’ e cila është filozofia ime e punës. Kjo pjatë që do gatuajmë sot është ndryshe nga pjatat tjera. Pse? Se sot mund të themi që nuk kemi proteinë të mishit, peshkut apo ndonjë shtaze tjetër. Sot do të jemi të gjithë tek ajo bota vegjetarianë dhe vegane. Unë personalisht do gatuaj me shalqin të pjekur d.m.th një stekë shalqiri me djathë Sharri, tartufin e Brezovicës dhe vaj me fara të kungullit”, tha Babalija.

Për të marrë pjesë në këtë festival, nga Turqia kishte ardhur edhe shefja Emine Muharremi. Ajo u shpreh e lumtur për këtë organizim dhe uroj që festivale të tilla të mbahen më shpesh.

Megjithëse prezantimi i saj është i programuar për nesër, ajo na tregon se do të përgatisë ëmbëlsirë tradicionale, hallvën, por që vjen me një recetë origjinale nga ajo.

“Do të përgatis hallve për shkak se është e kërkuar të jetë pjatë tradicionale edhe ashtu është festivali i parë i gastronomisë ku do të jenë prezantimet dhe do të jenë ushqimet me prodhime vendore, kështu që kam nderin të marrë pjesë në këtë festival. Kam ardh nga Turqia dhe do të përgatis hallve pa sheqer dhe pa gluten. Diçka që në Kosovë nuk ma merr mendja që ka, por tash e mas do të bëhen”, deklaroi ajo.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme