Arbëri

Së shpejti ndërtohet Qendra për personat me Sindromën Down dhe Autizëm

Ndërtimi i qendrës për personat me Sindromën Down dhe Autizëm akoma nuk ka filluar, ndonëse kjo shumë herë u premtua.

Në Komunën e Prishtinës thonë se së shpejti do të fillojë ndërtimi i kësaj qendre, për të cilën është ndarë edhe lokacioni. E përveç se ndërtimi nuk ka filluar, Kosovare Bunjaku nga Shoqata “Down Syndrome Kosova” i tha Radio Kosovës se akoma nuk kanë dalë as në hapësirat që iu dhanë për shfrytëzim, në mars të këtij viti, nga Komuna e Prishtinës.

“Sa i përket ndërtimit të objektit, marrëveshja është bërë, por ende nuk kanë filluar punimet. Ne akoma s’kemi dalë as në hapësirat që na janë dhënë për shfrytëzim të përkohshëm, për shkak të disa renovimeve që janë duke u bërë. Por, pritet të dalim në këto hapësira të reja ndoshta brenda dy javësh apo edhe një muaji”, tha ajo.

E pyetur se kur pritet të fillojë ndërtimi i qendrës për të prekurit nga Sindroma Down dhe Autizmi, për të cilin është ndarë edhe toka, zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, duke mos dhënë datë, nëpërmjet telefonit tha vetëm se "shumë shpejt do të filloj' ndërtimi i objektit".

Hapësirat e vogla që i kanë në dispozicion po paraqesin vështirësi në punë, thotë Kosovare Bunjaku nga “Down Syndrome Kosova”.

“Është nevojë shumë e madhe e qendrës tonë që të kemi një hapësirë më të madhe, marrë parasysh numrin e madh të anëtarëve. Vështirësi kemi veçanërisht në kuadër të programit të punës me të rritur, ku kemi shumë punëtori, e na duhen që dy a tri punëtori t'i realizojmë brenda një hapësire shumë të vogël”, tha ajo.

Sipas Bunjakut, në Shoqatën “Down Syndrome Kosova”, në Prishtinë, janë të anëtarësuar 150 persona. Nga ta, mbi 55 anëtarë marrin shërbime në programin e të rriturve dhe atë të fëmijëve. Ndërkohë që në listë të pritjes për inkuadrim në shërbime terapeutike, janë edhe 15 fëmijë.