Metro

Rrëfimi i Eliza Hoxhës për Prishtinën në Shkodër

Është shumë e rëndësishme që debati mbi qytetet dhe për të drejtat tona mbi qytetin të decentralizohet, duke mos u mbajtur vetëm në Tiranë dhe Prishtinë. Kështu tha sot arkitektja, njëherësh planifikuesja urbane dhe artistja Eliza Hoxha, në forumin e pestë të ciklit "E Drejta mbi Qytetin", të organizuar nga GO2 në qytetin e Shkodrës.

Përmes temës së zgjedhur "Gratë dhe Qyteti", Hoxha e njohu audiencën me fillimet e përpjekjeve të tilla në qytetin e saj, Prishtinën, që sikurse tha, kanë qenë të vështira edhe për shkak se arkitektura konsiderohej profesion mashkullor, derisa planifikimi urban është një qasje ende e panjohur. Profesoresha e Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës shpalosi 12 pikat e Kartës Europiane të së Drejtës së Grave mbi Qytetin, një dokument i vitit 1994, që u njeh grave po aq të drejta sa edhe burrave në qytet, por që fatkeqësisht mbeten në letër.