Ish-drejtoresha e Urbanizmit në Prishtinë në kohën kur kryetar ishte Isa Mustafa, Luljeta Çeku-Sokoli, në emisionin 038 të KTV-së, ka folur për Lagjen e Muhaxhirëve.
Ajo ka thënë se në periudhën sa ka qenë në pozitën e Drejtores, ka trashëguar disa plane të papërfunduara, ku në mesin e tyre ishte edhe Lagja e Muhaxhirëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Për të avancuar planin, vendosa të propozoj një komision me ekspertë të jashtëm dhe të Komunës për të rishikuar planin dhe ta përfundojmë atë. Plani im u pranua me shumë rezervë nga Kryetari dhe nga këshilli i drejtorëve, mirëpo komisioni punoi me shumë përgjegjësi dhe në fund e dha raportin me të gjitha të metat dhe mangësitë e planit. E avancuam planin, ndërhymë në infrastrukturë, në strukturën fizike, sociale, në mënyrën e implementimit dhe më vonë vazhduam me gjithë komisionin e brendshëm të Drejtorisë së Urbanizmit që të zbatojmë atë plan rregullues të lagjes. Meqenëse ligjet e prokurimit na ofrojnë kompani që nuk shquhen me përvojë të theksuar të planifikimit urban, isha shumë e brengosur. Ne duhej të punonim pastaj që nuk ishte obligim i yni, por e bëmë atë punë dhe ajo na konsumoi shumë kohë neve. Megjithatë, ne e përfunduam”, deklaroi ajo.
“Propozova që ndërtimi në Lagjen e Muhaxhirëve të shkojë në mënyrë të organizuar, sepse ndërtimi parcial sjell probleme. Në atë lagje ende ka probleme sepse nuk është realizuar plani siç është kërkuar. Vërejtjet që ne i dhamë janë miratuar nga Kuvendi. Pas dorëheqjes sime vazhduan ndërtimet në mënyrë parciale, dhe sot shoh se objektet i tejkalojnë koeficientet e përcaktuara në atë kohë. Ky ndërtim parcial paraqet rrezik në situatën aktuale të dendur të lagjes”, u shpreh ish-drejtoresha e Urbanizmit në Prishtinë, Luljeta Çeku-Sokoli.
Ajo thotë se nuk kanë qenë protestat e banorëve të Lagjes së Muhaxhirëve ato që e kanë detyruar atë të japë dorëheqje, por ka qenë kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për ndërtimin e spitalit të Forenzikës Psikiatrike brenda oborrit të QKUK-së.
Ajo thotë se kjo gjë, në konsultim me ekspertë të rajonit, rrezikonte sigurinë e frekuentuesve të QKUK-së.
“Nuk kanë ndikuar protestat e Muhaxhirëve në dorëheqjen time. Kanë ndikuar shumë faktorë. Unë e pranova detyrën që në qytet të lë gjurmë dhe rregull urban. Meqenëse kishte bllokada dhe nuk kishte vullnet të përgjithshëm, mjerisht, unë nuk e pash të arsyeshme të vazhdoj më tutje aty. Vendimin e mora për shkak të një lënde shumë serioze, që ishte e Forenzikës Psikiatrike. Kjo lëndë ishte kërkesë e Ministrisë së Shëndetësisë, ku insistohej të ndërtohej në kuadër të QKUK-së në Prishtinë. Ne kërkuam nga Ministria që të na njoftojë për natyrën e institucionit, për rrezikun që mund të kanoset nga veprimtaria e institucionit, por nuk e morëm asgjë. Në ndërkohë u konsultova me ekspertë të rajonit, të cilët më njoftuan hollësisht për rrezikun nga të burgosurit psikiatrikë. Unë e refuzova këtë lëndë dhe propozova që ai të ndërtohet në lokacionin e burgut të sigurisë së lartë në Gërdofc. Por Ministria nuk pranoi. Kishte insistim të madh që ky objekt të ndërtohej në QKUK. Ishte e papranueshme që ne të fusim rrezikun në mesin e qytetarëve sepse QKUK-në e frekuenton e tërë Kosova. Trysnitë erdhën nga Ministria, në kohën kur ministër ka qenë Ferid Agani. Ata vlerësonin se siguria mund të jetë relative, gjë që ekspertët e rajonit nuk e trajtonin ashtu. Unë kërkova nga ta që të japin një marrëveshje trepalëshe mes MSH-së, QKUK-së dhe Ministrisë së Administratës Publike dhe të marrin përgjegjësinë për sigurinë e lartë ndaj të gjithëve”, ka thënë Çejku-Sokoli, duke shtuar se në fund nuk ka dhënë lejen ndërtimore dhe se për këtë ka dhënë dorëheqje.
“Menjëherë e dorëzova dorëheqjen time te Kryetari, të cilën ai s’e pranoi, por pas një muaji e lash detyrën dhe e vazhdova punën si këshilltare e Kryetarit”, u shpreh Çejku-Sokoli.
Nga koha kur nuk udhëheq me Drejtorinë e Urbanizmit, ajo thotë se urbanizmi ka degraduar në qytet dhe thekson se s’ka fare urbanizëm.
“Mjerisht, urbanizëm më nuk ka. Deri më tani ka pasur tentativa e projekte, por tani gjithçka është improvizim. Kemi mikro-urbanizëm. Njëfarë puzzle-urbanizëm, ose i arnuar që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ka metra katrorë të ndërtuara, madje të stërngarkuara, mirëpo aspekti urban nuk ekziston. I kemi tri lagje të paraluftës me të cilat mund të krenohemi, por s’kemi lagje të reja të mirëfillta për t’u krenuar”, u shpreh në fund të intervistës, ish-drejtoresha e Urbanizmit në Prishtinë, Luljeta Çeku-Sokoli.