Komuna s’e di nëse rruga “Naim Gashi” në Prishtinë do të rregullohet këtë vit

Komuna s’e di nëse rruga “Naim Gashi” në Prishtinë do të rregullohet këtë vit

12 March 2019 20:11

Për pesë vite qytetarët e rrugës “Naim Gashi” në lagjen “Vreshta” në Prishtinë, kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës që t’ua rregullojnë rrugën, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Banorët e kësaj pjese i kanë thënë portalit Koha.net se po ndihen të rrezikuar nga rrëshqitjet e dheut, sidomos pas ndryshimit të kushteve atmosferike. Ajo që banorët kanë kërkuar nga komuna është që kjo rrugë të asfaltohet dhe anash saj të ndërtohet një mur mbrojtës në mënyrë që të parandalohen shembjet e dheut nga një lartësi prej rreth 6 metrash që gjendet shumë pranë rrugës.

Njëri nga banorët e kësaj rruge, i cili deshi të mbetej anonim, ka thënë se komuna ka qenë e njoftuar që 5 vite për gjendjen e rrugës, dhe se përgjatë gjithë kësaj kohe ata kanë marrë premtime se kjo çështje do të rregullohet. Ai druan se rregullimi i saj nuk është përfshirë as në buxhetin e këtij viti.

“Ne kemi bërë kërkesë që 5 vite që të rregullohet një mur mbrojtës sepse po rrezikohemi sa herë po kalojmë në atë rrugë. Lartësia anash rrugës është diku 5-6 metra. Rruga është shumë e ngushtë dhe ndonjë automjet tjetër përveç veturave nuk mundet me kalu. Kur është koha me shi edhe me borë është e rrezikshme edhe për vetura për shkak se mundet me u shemb dheu. Ne jemi takuar me drejtorin Gëzim Mehmeti, ata kanë qenë me pa rrugën, e kanë bërë projektin por si duket nuk do ta rregullojnë”, ka thënë ai.

Ndërkaq Koha.net që nga e enjtja e javës së kaluar ka provuar të marrë përgjigje nga drejtori për Investimeve Strategjike në Komunën e Prishtinës, Gëzim Mehmeti, nëse ky projekt ka hyrë në buxhetin e vitit 2019, mirëpo e gjitha që ky i fundit është përgjigjur është se në Prishtinë kanë shumë projekte të tilla dhe se do ta dërgojnë inspeksionin e komunës që ta verifikojnë gjendjen.

“Ende nuk i kemi dorëzuar në prokurim gjysmën e projekteve. Këto çka i kemi publiku janë edhe të vitit 2018. Arsye e shembjes janë edhe ndërtimet pa leje”, ka thënë Mehmeti.

Ditë më parë, Komuna e Prishtinës kishte publikuar në profilin e vet në Facebook një listë me rrugë të lagjes “Vneshta” dhe asaj “Kodra e Trimave”, ku përfshihet rregullimi i rrugëve dhe ndërtimi i mureve, mirëpo rruga “Naim Gashi” mungonte në këtë listë. Kjo ka bërë që banorët e kësaj ane të shprehin frikën se edhe këtë vit rruga e tyre do të jetë jashtë vëmendjes së Komunës së Prishtinës.

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme