Komisioni i Venecias ka mohuar t’i ketë dhënë rekomandim Gjykatës Kushtetuese që të ketë përsëritje të balotazhit për kryetar të Komunës së Prishtinës.
Kandidati i LDK-së, Arban Abrashi në muajin mars kishte bërë një ankesë në Gjykatën Kushtetuese duke pretenduar se ka pasur shkelje të procesit zgjedhor më 19 nëntor të vitit 2017. Në një deklaratë për KTV-në, Komisioni i Venecias ka thënë se për herë të fundit ka dhënë rekomandim që ka të bëjë me financimin e partive politike dhe zgjedhjet e përgjithshme.
“Komisioni i Venecias nuk jep opinione për çështje të caktuara. Ne japim opinione ligjore për ligje dhe draft ligje. Hera e fundit që kemi dhënë një rekomandim për Kosovën është në qershor dhe ka të bëj me financimin e partive politike dhe zgjedhjet e përgjithshme”, ka thënë Tatiana Mychelova, nga zyra për marrëdhënie me jashtë në Komisionin e Venecias.
Ndaj raportimeve se do të ketë përsëritje të balotazhit ka reaguar edhe zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri që e quajtur edhe presion të LDK-së ndaj Gjykatës Kushtetuese.
“LDK me "fake news", po i bën presion Gjykatës Kushtetuese. Lajmi për mendimin e Komisionit të Venedikut për balotazhin në Prishtinë është i pavërtetë. Është spekulim mediatik, si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, i sponzorizuar nga LDK e cila po vazhdon të sheh ëndrra fushate. Kjo tashmë u konfirmua. Do të ishte mirë që LDK të këndellet, të sheh kah e ardhmja, sado plagë që mund t'i ketë lënë e kaluara dhe veçanërisht humbja e Prishtinës”, ka shkruar Tahiri.