Pastrohet një deponi e madhe në Arbëri

Pastrohet një deponi e madhe në Arbëri

25 November 2018 15:05

Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” sot është mbajtur aksion pastrimi në lagjen Arbëria në Prishtinë, ku janë larguar dhjetëra thasë me mbeturina dhe tetë kamionë me mbetje inerte nga një deponi e madhe e mbeturinave.

Pas përfundimit të aksionit të sotëm, në lokacionin e pastruar u vendos tabela e cila tregon se lokacioni është pastruar në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” dhe se nuk lejohet hedhja e mbeturinave aty. Dhjetëra thasët me mbeturina u mblodhën nga vullnetarët, ndërsa mbetjet inerte janë larguar nga makineri nga Kompania “Mati”.

“Let’s Do It ju bën thirrje të gjithë ndërtuesve që të mos hedhin më mbetjet e tyre në hapësira publike, por në lokacionet e përcaktuara për mbetje në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”. Po ashtu, Let’s Do It sërish u bën thirrje institucioneve që të jenë më të ashpra në gjobitjen e ndotësve të tillë. Shqetësuese janë edhe të ashtuquajturit ‘taksist’, të cilët i ka evidentuar ekipi i Let’s Do It e që po ofrojnë shërbime bartjeje për mbetje interte dhe të tjera me pagesë. Let’s Do It i paralajmëron të gjithë ata që po e shkaktojnë këtë ndotje që nëse nuk ndalen, do të paditen dhe më pas do të përballen me institucionet për dëmin që po ia shkaktojnë mjedisit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Përveç aksionit të pastrimit, në kuadër të Fushatës edhe sot ka vazhduar trajnimi me mësimdhënës në Skenderaj, me qëllim të rritjes së fokusit të mësimdhënësve në temat që lidhen me edukimin mjedisor si dhe zhvillimin e aktiviteteve konkrete që promovojnë rëndësinë e ruajtjes së mjedisit jetësor.

Ky trajnim u organizua në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit, ndërsa do të vazhdojë javëve të tjera, edhe në komuna tjera.

“Let’s Do It ju njofton se çdo ditë po vazhdojnë aktivitetet për pastrimin e deponive ilegale të mbeturinave, ku deri më tani në tërë Kosovën janë pastruar 534 lokacione, ndërsa deri në fund të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” [15 dhjetor], synohet pastrimi i 800 lokacioneve”, përfundon komunikata.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme