Shitësit dhe konsumatorët kërkojnë shtrirjen e “Tregut Mobil” në të gjitha lagjet e Prishtinës

17 November 2018 17:09

Çdo të mërkurë tregu mobil vendoset në platonë e Dardanisë.

Tregu ku shiten produkte vendore nga kryeqyteti dhe komunat përreth, aktualisht funksionon vetëm në tri lokacione, e jo nëpër çdo lagje siç është premtuar në fillim, raporton 038 në KTV.

Ky treg është i hapur për qytetarët vetëm gjatë tri ditëve të javës, në sheshet “Zahir Pajaziti”, “Bill Clinton” dhe atë “Adem Jashari”, që gjendet afër komunës.

Prodhuesit që ofrojnë pemë dhe perime vendore janë të kënaqur me nivelin e shitjeve.

Por, ata kërkojnë që tregu të shtrihet edhe në lagje tjera të kryeqytetit, pasi vlerësojnë se në këtë mënyrë qytetarët do të kishin më shumë qasje në produktet vendore.

"Me prodhimet që i kemi, kemi shitje të mjaftueshme, por nuk e di çka të them. Ndoshta ka qenë më mirë që të zgjerohet, është më mirë sepse neve na ofrohet edhe një mundësi më e madhe, të jemi katër apo pesë herë në javë, të jemi çdo javë në cdo lagje, ndoshta edhe për konsumatorët do të kishte qenë më mirë dhe pse ka mjaft të interesuar për të blerë", ka thenë Mirsad Demolli, shitës.

Edhe shitësit nga komunat tjera mendojnë se prezenca e tregut në pjesë të tjera të Prishtinës do t’u sillte dobi të dyja palëve.

"Sa i përket prodhimtarisë time jam shumë i kënaqur, sidomos sheshi është shumë i mirë. Si prodhues jam i kënaqur edhe me këto tri ditë, se dikush duhet edhe ta prodhojë këtë se jo vetëm me dal nëpër tregje. Mirë është me u zgjeru edhe diku tjetër", thotë Gëzim Demaçi.

Konsumatorët shprehen të kënaqur me cilësinë e produkteve, derisa bëjnë thirrje që të konsumohen më shumë prodhimet vendore.

"Produktet vendore janë më të mira sesa ato që vijnë nga jashtë. Së pari, janë më të freskëta, vendore, të natyrës sonë dhe unë i konsumoj më shumë vendoret sesa ato të jashtme. Në treg jam për çdo ditë”, thotë konsumatori Hafiz Gashi.

Më pak të kënaqur me shitjet janë ata që ofrojnë produkte punëdore, si veshje kombëtare, çorape apo qafore të ndryshme.

"Deri dikund, nuk është edhe aq e mirë shitja, se ndoshta edhe njerëzit nuk kanë, por mirë nuk është edhe keq. Kur ta shikosh, më shumë sheh nëpër kafe sesa që blejnë këtu. Është koha e vjeshtës që nuk e di”, ka thënë Shukrije Osmani, shitëse nga Fushë-Kosova.

Por, kanë qenë pikërisht fermerët që kanë refuzuar të shesin në lokacione të ndryshme. Ata bënë që komuna ta anulojë vendosjen e tregut në Taslixhe dhe Ulpianë.

Nga Drejtoria për Planifikim Strategjik në Komunë thonë se në lagjet ku është planifikuar të funksionojë tregu nuk pasur mundësi të zhvillohet aktiviteti për shkak të lokacioneve të papërshtatshme.

“Në lagjen Mat (te shkolla Pavarësia) dhe ne Breg te Diellit, me kamionët që disponon tregu, që shërbejnë për transport të tezgave është i pamundshëm, qarkullimi dhe manovrimi. Po e njëjta gjë është në Kodrën e Trimave te shkolla fillore ‘Hilmi Rakovica’”, ka thënë Genc Bashota, drejtor i Drejtorisë për Planifikim Strategjik, Prishtinë.

Ai ka shtuar tutje se në lagjen Taslixhe tregu ka pasur aktivitet tri vjet me rradhë, mirëpo në konsultim me fermerë kemi vendosur që për një kohë të caktuar të anulojmë aktivitet e tregut në këtë lagje, fermerët nuk kanë pasur punë.

“Te rrethi në ‘Ulpianë’ është zhvilluar tregu çdo vit në kohë të caktuar, mirëpo edhe këtu nuk kanë pasur pritjet e synuara, kështu që nga shtatori nuk jemi prezent në këtë lagje. Në lagjen “Arbëria” fermerët hezitojnë për lokacionin e caktuar, meqëse edhe aty pjerrtësia e parcelës nuk u përshtatet tezgave. Kjo drejtori thotë se kanë pranuar kërkesa që tregu të jetë prezent edhe në lagje te tjera jashtë Prishtinës, që sipas tyre, në të ardhmen do të shqyrtohet një mundësi e tillë”, ka thënë Bashota.

Projekti i tregut mobil ka nisur në vitin 2015 dhe ka kushtuar 479 mijë euro, investim ky i kombinuar ndërmjet Zyrës së Bashkimit Evropian e cila ka dhuruar 80 përqind të fondeve dhe Komunës së Prishtinës që ka participuar me 20 përqind.

Zyra e BE-së, nuk është përgjigjur në pyetjet lidhur me mosfunksionimin e tregut sipas marrëveshjes.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

alipash tepelena19/11/2018 14:18

pode! na nuk jemi shu larg mentalitetit avganistan e pakistan, ne nuk kenaqem derisa nuk e mer at pamje.

Shto koment

Të ngjashme