Tri medalje të bronzta për xhudistët kosovarë, priten të tjera
Plot tri medalje të bronzta i kanë fituar xhudistët e Kosovës të premten në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Të premten ishte dita e parë e garave të xhudos. Ndonëse është pritur që Kosova të fitojë edhe të arta, bilanci prej tri medaljeve është për t’u vlerësuar.
Kosova tashmë i ka katër medalje në “Taranto 2026”, ndërsa të tjera priten të shtunën, kur vazhdojnë garat e xhudos.
Të premten medalje të bronzta fituan Akil Gjakova në kategorinë deri 73 kilogramë, Fatjona Kasapi në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Flaka Loxha në kategorinë deri 57 kilogramë.
Gjithsej garuan pesë xhudistë. Dardan Cena në kategorinë deri 81 kilogramë dhe Erza Muminoviq në kategorinë deri 48 kilogramë, i humbën luftërat për vendin e tretë. U renditën në pozitën e pestë.
Të shtunën garojnë Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë dhe Shpati Zekaj në kategorinë deri 100 kilogramë. Sportistja më e mirë në vend, Distria Krasniqi, nuk garon në Taranto.
Të enjten boksierja Donjeta Sadiku fitoi të artën në kategorinë deri në 60 kilogramë.
Dhe të premten, ashtu si pritej, xhudistët sollën medalje. Në tri edicionet e deritashme të Lojërave Mesdhetare, xhudistët e kryemjeshtrit Driton Kuka, i sollën Kosovës plot 12 medalje. Ky numër me shumë mundësi do të rritet të shtunën.
Cena mbetet pa medalje, renditet i pesti
Dardan Cena ka mbetur pa medalje në Lojërat Mesdhetare.
Cena në kategorinë deri 81 kilogramë, u rendit i pesti.
Për medalje të bronztë humbi nga turku Vedat Albayrak.
Edhe një medalje e bronztë nga xhudoja
Flaka Loxha është fituesja e radhës e medaljes së bronztë në Lojërat Mesdhetare.
Për të bronztën në 57 kilogramë, Flaka e mposhti turken Aysenur Budak.
Xhudistja turke u suspendua për veprim të palejuar teknik.
Tashmë Kosova i ka tri medalje në xhudo dhe katër gjithsej.
E treta medalje për Kosovën, Akil Gjakova në podium
Akil Gjakova ka fituar medalje për Kosovën në Lojëra Mesdhetare.
Gjakova fitoi të bronztën në kategorinë deri 73 kilogramë.
Akili e mposhti me Ippon, përkatësisht me mbërthim turkun Bilal Ciloglu.
Vjen medalja e dytë, Kasapi fiton të bronztën
Kosova e ka fituar medaljen e dytë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Fatjona Kasapi fitoi medalje të bronztë në xhudo.
Ajo u rendit e treta në kategorinë deri 52 kilogramë. Për të bronztë, Fatjona e mposhti italianen Gaia Stella.
Ndaj saj fitoi me “Yuko”.
Të enjten, boksierja Donjeta Sadiku fitoi të artën në 60 kilogramë.
Erza Muminoviq mbetet pa medalje
Erza Muminoviq është mposhtur në luftë për medalje të bronztë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Erza humbi nga spanjollja Mireia Rodriguez Salvador.
Xhudistja spanjolle fitoi me Ippon për 45 sekonda. Lufta i takoi kategorisë deri 48 kilogramë.
Kosova e ka edhe xhudisten e pestë që i afrohet medalje së bronztë
Plot pesë xhudistë të Kosovës do të kërkojnë medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare, sot pasdite.
E pesta që ka arritur te lufta për medalje të bronztë është Erza Muminoviq në kategorinë deri 48 kilogramë.
Erza e mposhti Rahma Ghaliman e Algjerisë. Tani përballet me spanjollen Mireia Rodriguez për medalje të bronztë.
Pos saj të bronztën e kërkojnë edhe Akil Gjakova, Dardan Cena, Flaka Loxha dhe Fatjona Kasapi.
Kasapi, xhudistja e radhës që kërkon medaljen e bronztë mesdhetare
Kosova tashmë i ka katër xhudistë që do të paraqiten në luftërat për medalje të bronztë në Lojëra Mesdhetare.
Pas Akil Gjakovës, Dardan Cenës dhe Flaka Loxhës, luftën për medalje bronzi e siguroi edhe Fatjona Kasapi
Në repesazh të kategorisë deri 52 kilogramë, Fatjona fitoi me “Yuko” ndaj portugezes Maria Siderot.
Loxha mposhtet në gjysmëfinale, mbetet në garë për të bronztën
Flaka Loxha është ndalur në gjysmëfinale të kategorisë deri 57 kilogramë në Lojërat Mesdhetare.
Pas një lufte të fortë, Flaka humbi nga kroatja Ana Viktorija Puljiz.
Kroatja kishte uazari dhe po ashtu mori dy dënime. Ndërkohë Flaka realizoi hedhje që fillimisht u vlerësua uazari, por më pas u kthye në “Yuko”.
Për shkak të pikës më të vlefshme, në finale kaloi Puljiz.
Dhe Flaka do ta kërkojë medaljen e bronztë mesdhetare.
Gjakova i afrohet medaljes së bronztë
Akil Gjakova i është afruar medaljes së bronztë në Lojërat Mesdhetare.
Në luftën e dytë të repesazhit në 73 kg, Gjakova fitoi ndaj kroatit Robert Klaçar.
Kroati mori tri dënime, ndërkohë që dy xhudistët e kishin nga një Yuko.
Tani Akilit i duhet edhe një fitore për të bronztën mesdhetare.
Cena një fitore larg medaljes
Dardan Cena e ka fituar edhe luftën e dytë në repesazhin e kategorisë deri 81 kilogramë.
Në një luftë të zbehtë, pa shumë aksion, Cena fitoi ndaj boshnjakut Mustafa Hebib. Ndaj tij realizoi aksion në kohën shtesë.
Tani për të bronztë Cena lufton me xhudistin turk, Vedat Albayrak.
Akil Gjakova fiton me Ippon
Akil Gjakova ka fituar me “Ippon” në luftën e parë të repesazhit në kategorinë deri në 73 kilogramë në xhudo.
Akili e mposhti portugezin Alexandre Bucur me aksion të bukur në kohën shtesë.
Kështu Akili vazhdon garën për medalje të bronztë në Lojëra Mesdhetare.
Dardan Cena me fitore bindëse
Dardan Cena është kthyer te fitorja në Lojëra Mesdhetare.
Në luftën e parë të repesazhit në 81 kilogramë, Cena mposhti qipriotin Odysseas Georgakis.
Ndaj tij ishte bindës. Realizoi “uazari” dhe dy “yuko”.
Përmes repesazhit, Cena mund të arrijë te medalje e bronztë.
Edhe Erza Muminoviq ndalet në pengesën e parë
Garimin në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” e ka nisur edhe xhudistja Erza Muminoviq. Në çerekfinale të kategorisë deri 48 kilogramë, Erza humbi nga italiania Giulia Ghiglone.
Italiania fitoi me “Ippon” në kohën shtesë.
Erza tani e kërkon rastin në repesazh, me synim për medalje bronzi.
Edhe Kasapi e kërkon suksesin përmes repesazhit
Fatjona Kasapi është ndalur në luftën e parë të kategorisë deri 52 kilogramë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Fatjona garoi me xhudisten franceze, Pauline Cuq. Humbi me Ippon, ndonëse ishte duke udhëhequr me “Yuko”.
Fatjona kërkon rastin përmes repesazhit për medalje të bronztë.
Flaka Loxha në gjysëmfinale të Lojërave Mesdhetare
Flaka Loxha është kualifikuar në gjysmëfinale të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.
Në luftën e parë, xhudistja kosovare e mposhti italianen Michela Terranova.
Flaka fitoi me “Yuko” në kohën shtesë.
Ajo kërkon medalje në kategorinë deri 57 kilogramë.
Ndalet edhe Akili, kërkon të bronztën
Akil Gjakova ka pësuar humbje befasuese në çerekfinale të Lojërave Mesdhetare. Ai u mposht me dy “Yuko” nga francezi Maxime Gobert.
Akili bëri përpjekje për t’u kthyer, por pa sukses. Ai tani kërkon të bronztën në kategorinë deri 73 kg në xhudo, përmes repesazhit.
Mposhtet Cena, vazhdon në repesazh
Dardan Cena është ndalur në çerekfinale të kategorisë deri 81 kilogramë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Dardani pësoi nga bartësi i parë i kategorisë, Mihajlo Simin i Serbisë.
Lufta ishte e fortë dhe u vendos vetëm në kohën shtesë. Pas gjashtë minutave, Simin fitoi me “Yuko”.
Cena nuk po garon në kategorinë e tij. Ai karrierën e ka ndërtuar në kategorinë deri 73 kilogramë.
Tani Cena përmes repesazhit e kërkon medaljen e bronztë mesdhetare.
Akil Gjakova fiton me hedhje të bukur
Akil Gjakova ka fituar ndaj qipriotit Andreou Kyprianos në luftën e parë në Lojëra Mesdhetare “Taranto 2026”.
Në kohën shtesë të luftës së kategorisë deri 73 kilogramë, Gjakova bëri hedhje për “Yuko”.
Lufta ishte e barabartë, por xhudisti kosovar nuk u rrezikua.
Në çerekfinale, Gjakova përballet me Maxime Gobert nga Franca.
Fillim i mbarë për xhudon, Cena fiton dhe do të përballet me serbin Simin
Dardan Cena e ka kaluar pengesën e parë në Lojëra Mesdhetare.
Në kategorinë deri 81 kilogramë në xhudo, Cena e mposhti spanjollin Jose Maria Mendiola.
Ndaj tij fitoi më “Yuko”, në një luftë të fortë.
Cena në çerekfinale përballet me xhudistin e Serbisë, Mihajlo Simin.