Luftarake

Shkroi histori për Suedinë dhe bëri bujë në Paris, Babulfath po përgatitet në Pejë për Botëror

Tara Babulfath

Tara Babulfath e ka fituar medaljen e parë për Suedinë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Po ashtu e ka fituar medaljen e parë olimpike në xhudo për Suedinë, në histori.

Xhudistja e talentuar ka disa ditë që është në Pejë dhe po ushtron me sportistet më të mira të Kosovës.

Babulfath ka vendosur që të përgatitet në Pejë për Kampionatin Botëror të xhudos, që prej 13 deri më 19 qershor mbahet në Budapest të Hungarisë. 19-vjeçarja garon në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa në Botëror është bartëse e dytë. Rrjedhimisht është kandidate për medalje dhe për titull të botës.

Babulfath kishte bërë bujë në Lojërat Olimpike të Parisit. Në gjysmëfinale kishte zhvilluar luftë të fortë me japonezen Natsumi Tsunoda. Pas gati shtatë minutave luftë i ishte dhënë dënimi i tretë dhe kështu fitorja i kishte takuar japonezes. Por dënimi iu dha pasi Babulfath bëri përpjekje për ta rrëzuar japonezen. Për këtë arsye ajo vlerësoi dhe ende vlerëson se dënimi ishte i padrejtë. Reagoi ashpër ndaj gjyqtarit duke kërkuar që ta rishikonte situatën. Por me gjithë kundërshtimin e xhudistes së re, vendimi mbeti në fuqi, ndërsa në finale kaloi japonezja. Babulfath për medalje të bronztë e mposhti një xhudiste nga Kazakistani. Më pas u suspendua për tre muaj nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos për reagimin ndaj gjyqtarit.

Tani xhudistja me prejardhje nga Irani po shikon para. Është e vendosur për sukses në Botërorin në Budapest. Dhe ka zgjedhur Kosovën për përgatitjet finale.

“Është vend shumë i mirë, me xhudistë shumë të mirë dhe me trajnerë shumë të mirë. Është kënaqësi që jam këtu. Është mundësi shumë e mirë. Kemi folur në Kampionat Evropian dhe më kanë pyetur nëse dua të vij këtu para Kampionatit Botëror. Dhe natyrisht që u thashë po”, ka thënë Babulfath të martën për KOHËN.

Ajo është e shoqëruar nga dy japoneze. Njërën e ka trajnere e tjetrën partnere të stërvitjes. Kjo dëshmon që pritjet në Suedi nga kjo xhudiste janë shumë të mëdha. Investime për të po ashtu. Babulfath megjithatë vlerëson se shumë gjëra duhet të përmirësohen në xhudon e Suedisë.

Ajo thotë se është shumë e lumtur në Kosovë. Thotë se stërvitjet janë të forta, njëjtë si luftërat me xhudistët e tjera.

Ajo i njeh xhudistet kosovare, sidomos kampionet olimpike, Majlindën, Norën, Distrinë.

“I njoh të gjitha. Janë yje të mëdha në sportin tonë”, thotë Babulfath.

Vitin e kaluar ajo fitoi medalje të bronztë edhe në Kampionatin Botëror për seniorë. Ka edhe medalje argjendi dhe medalje bronzi në Botërorin për kadetë. Në shkurt të vitit të kaluar fitoi të artë në Grand Slamin në Baku.

Pas Lojërave të Parisit fitoi të artë në Evropianin U23, të bronztë në Grand Slamin e Parisit dhe të Tbilisit dhe të argjendtë në Grand Slamin në Baku.

“Synimi në Botëror është të fitoj. Të fitoj të artën, jo vetëm medalje. Jam gati për të fituar të artën. Do të bëj më të mirën dhe kur jam në gara dua vetëm të fitoj”, thotë Babulfath.

Për garën në Lojërat e Parisit thotë se ishte shumë e mirë.

“Parisi ishte garë shumë e mirë. Kam luftuar shumë mirë. Ishte kënaqësi. E kam shijuar kohën në tatamin olimpik. Disa muaj më herët kisha fituar edhe medalje të bronztë botërore. Tani dua të bëj hapin para në xhudo, të bëhem sa më e mirë të jetë e mundur”.

Edhe xhudistet e Kosovës, Distria Krasniqi e Laura Fazliu, kërkojnë medalje në Botëror. Pos tyre, Kosova ka edhe plot xhudistë të tjera cilësore. Shumë prej tyre kanë testuar nivelin e Tara Babulfathit në stërvitjet në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë.

“Mendoj se stërvitjet këtu do të më bëjnë shumë më të mirë. Kam shumë gjëra për të mësuar nga xhudistet kosovare dhe trajnerët që janë të shkëlqyer”, thotë Babulfath.

Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë është bërë adresë e lakmuar për top-xhudistë nga shumë vende të botës. Sidomos para ngjarjeve të mëdha, xhudistët e huaj me shumë dëshirë vijnë për të ushtruar nën urdhrat e kryemjeshtrit Driton Kuka.