Fitorja e mbretit të ri të kategorisë së rëndë të boksit profesionist, Oleksandr Usyk, ndaj Tyson Furyt ishte shumë më tepër se një meç spektakolar. Ukrainasi Usyk ka kaluar shumë sfida
Qartë që Vladimir Putini nuk ka kërcyer nga gëzimi në Moskë. Fitorja e kampionit të boksit, Oleksandr Usyk, të shtunën në Riad të Arabisë Saudite ndaj Tyson Furyt është humbje simbolike edhe për liderin e Rusisë.
Kjo pasi Usyk nuk është sportist i zakonshëm. Nuk është person i zakonshëm. Ai jo vetëm që është kampion i padiskutueshëm i botës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist nga e shtuna, por për kohë shumë të gjatë është figurë legjendare në Ukrainë. Është simbol i rezistencës dhe forcës luftuese, model që ka kontribuuar shumë në moralin e ukrainasve në vijën e parë të frontit me Rusinë.
“Fitorja është shumë e rëndësishme për ne ukrainasit”, ka thënë ish-kampioni Wladimir Klitschko për TNT Sports pas spektaklit në Riad.
“Ne do të luftojmë dhe nuk do ta bëjmë këtë vetëm në ringun e boksit, por edhe në luftën e pakuptimtë që Rusia e ka nisur”.
Momenti kryesor i meçit në Riad ishte ai i raundit të nëntë, kur Usyk nisi seri goditjesh ndaj Furyt, që është 15 centimetra më i gjatë. Fury mezi mbeti në këmbë në meçin e zhvilluar në prani të Klitschkos, Cristiano Ronaldos, Neymarit dhe plot yjeve të tjerë. Vetëm falë mbështetjes në litarë, Fury nuk u rrëzua. Më pas mori ndihmë të madhe edhe nga gjyqtari që vendosi të ndërhynte kur britaniku Fury po i afrohej dyshemesë.
VIDEO:
Por si e mposhti Usyku i “vogël”, Furyn e “madh”?
Me disiplinë të hekurt, fokusim të plotë, shumëllojshmëri goditjesh, teknologji brilante, inteligjencë strategjike, zemër të madhe dhe me vendosmërinë për të mos u dorëzuar për asnjë moment. Kjo e fundit i mundësoi që pas disa raundeve të vështira të fillojë kthimin spektakolar që rrallë shihet në boks.
Në tre të mëngjesit, të dielën, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shkroi në “Telegram” nën një fotografi të postuar nga Usyk.
“Ukrainasit janë goditur rëndë. Në fund të gjithë kundërshtarët tanë do të mposhten”.
Një orë më pas Usyk foli në konferencë për shtyp në Riad për babain e tij, që vdiq në vitin 2012. Dhe nuk mundi të mbante lotët. Usyk fillimisht vendosi flamurin e Ukrainës në karrige dhe mbi tavolinë e mbante lodrën e preferuar të vajzës së tij të madhe.
"Mendoj se ai është këtu me ne tani. Baba, të dua! Unë ia dola, kështu më ke thënë edhe ti”.
Në vitin 2012, Usyk u bë kampion olimpik në Londër. Ai e kishte të pamundur të festonte suksesin me babanë. Babai i boksierit vdiq menjëherë pas luftës finale. Tani, pas fitores më të madhe në karrierë, ai moment u kthye në kujtesën e Usykut.
Vdekja, lufta, dashuria, fitorja dhe sporti u gërshetuan në një mbrëmje magjike boksi. Vetëm një duel i tillë boksi mund të ketë kuptim kaq të thellë.
Usyk lindi në Krime dhe u rrit duke folur gjuhën ruse. Kur Putini pushtoi dhe aneksoi Krimenë në vitin 2014, Usyk u tërhoq në Kiev. Ai tani jeton me familje në Kaliforni, larg zonës së luftës.
37-vjeçari është akademik, baba i tre fëmijëve, bashkëshort, vallëzues i pasionuar, multimilioner, religjioz dhe njeri i aksionit.
Në vitin 2022 u paraqit vullnetar dhe shkoi në luftën kundër Rusisë.
“Jam lutur çdo ditë. Të lutem Zot, bëje të mundur që askush të mos më qëllojë. Dhe të lutem bëje të mundur që të mos jem i detyruar ta qëlloj asnjë, që nuk do të më duhet të vras askënd. Jam shumë falënderues që nuk erdhi te kjo”, kishte thënë Usyk për “Spiegel”.
Usyk qëndroi një muaj në luftë, derisa shokët e plagosur gjatë një vizite në spitalin ushtarak e bindën që ishte me rëndësi shumë më të madhe që të përfaqësonte Ukrainën në ring dhe të fitonte për vendin e tyre sesa të shtrihej në spital me ta.
Usyk nuk zhgënjeu. Dhe lufta e tij nuk ka përfunduar ende.