Lokalet 2021

Tejeci për problemin e ujit në Prizren: Planifikojmë ndërtimin e një dige në Manastiricë

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga radhët e AKR-së, Afrim Tejeci, ka thënë se për zgjidhjen e problemit të ujit në këtë komunë planifikojnë të ndërtojnë një digë në fshatin Manastiricë.

Ai ka thënë se me këtë edhe do të rregullohej problemi i ujit dhe atë për një periudhë afatgjate prej 50 vjet e po ashtu do të shndërrohej ky vend në atraksion turistik.

“Në program kemi furnizimin me ujë të pijshëm për gjithë qytetarët e Prizrenit, me një projekt që do të ishte zgjidhje afatgjate prej 50 vjetëve për këtë problem. Është një brengë e madhe për qytetarët e Prizrenit. Dihet se qyteti i Prizrenit ka shumë ujë, por shkaku i keqmenaxhimit ka vende ku nuk kanë ujë të pijshëm. Ne kemi projekt për ndërtimin e një dige në fshatin Manastiricë, me potencial furnizues. Ky projekt mund të shndërrohet edhe në atraksion për shumë vizitorë. Ai ka thënë se ekspertët e kanë shikuar gjendjen në terren dhe një profesor nga Turqia i ka parë nga afër resurcet në Manastiricë. Nuk është investim i madh do të kthehen investimet për 7-8 vjet. Diga do të kushtonte afro 2.5 milionë euro”, ka thënë Tejeci në “Zgjedhjet në KOHË”.

Tejeci ka thënë se Prizreni ka potencial të madh turizmi dhe duhet shfrytëzuar kjo. Po ashtu ka thënë se kanë 20 prioritete, në fusha të ndryshme nga shëndetësia e arsimi e po ashtu te sporti.

Ai ka thënë se planifikohet të ndërtohet edhe një teleferik në Kalanë e Prizrenit.