Lokalet 2021

LVV-ja shpalos programin për zonën ekonomike në Gjilan, e funksionalizimin e aeroportit në Gjakovë

Nga lagjja “Zabel” e Komunës së Gjilanit, kandidati për kryetar të kësaj komune nga LVV-ja, Alban Hyseni, ka premtuar zonë të re ekonomike e infrastrukturë më të mirë për banorë të kësaj lagjeje. Hyseni ka bërë të ditur se programi i tij qeverisës përmban 10 pika kryesore

Selia e Vetëvendosjes në Gjilan është vendi ku po bëhen përgatitjet për fushatën zgjedhore. E me të mbërritur aty, kandidati për kryetar të kësaj komune, Alban Hyseni, kujdeset për veshjen para se të niset në destinacionin e caktuar. Së pari veshi një këmishë të bardhë, e pastaj së bashku me aktivistë e kandidatë për asamble u nis për në njërën ndër lagjet më të mëdha të Gjilanit.

Lagjja “Zabeli” është vendi ku Hyseni shpalos një pjesë të programit të tij. Ai së bashku me aktivistë e banorë të kësaj lagjeje kishin vendosur që në këmbë të ecnin, e të shikonin problemet me të cilat ballafaqoheshin.

Madje, disa nga aktivistët u kujdesen që të lënë edhe një biografi të kandidatit për kryetar në pothuajse çdo derë të shtëpisë. Pas ecjes e takimit me banorët, Hyseni tregon për planet e tij rreth kësaj lagjeje.

“Trotuaret e ndriçimi publik, rrugët e në të njëjtën kohë edhe parku që kemi këtu, e që është shumë afër, e ne i themi parku te Pishat, paraqet një zonë shumë atraktive për banorët e Komunës së Gjilanit, është zonë të cilën kemi shumë qytetarë që e frekuentojnë, mirëpo është pa përkujdesje e përcjelljen e institucioneve komunale”, shprehet ai, duke thënë se LVV-ja, është zotuar se do të ketë fokus të veçantë dhe prioritet krijimin e sa më shumë hapësirave të gjelbra.

Ai theksoi se programi i tij qeverisës për Komunën e Gjilanit përmban 10 pika.

“Fokus i veçantë i është dhënë zhvillimit ekonomik, përmes një ndërtimi të një zone ekonomike, me qasje të lehtë në autostradë dhe kështu sigurisht që ndihmojmë edhe Komunën e Gjilanit, edhe dy zonat kufitare me dy shtete që i kemi”, ka thënë ai.

Me të përfunduar takimin, Hyseni vazhdoi vizitën te një kultivues i mollëve dhe te bizneset e tjera në këtë lagje. Prodhuesi i mollëve, vazhdimisht ankohej për tatimet qe tash e 3 vjet paguan, e që sipas tij kjo nuk është në rregull. Derisa Hyseni i premton një fokus e mbështetje për këtë sektor, në rast se vjen në krye të Komunës së Gjilanit.

E mysafir i kandidates për Gjakovën, Mimoza Kusari-Lila, ishte kryeministri Albin Kurti. Së bashku ata ku takuan gratë, të rinjtë, artistët e qytetit. Nga Gjakova, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se programi i tyre jo vetëm që ka në fokus programe të veçanta për fuqizimin e vajzave dhe grave, por parasheh edhe përfshirjen e tyre në vendimmarrjen lokale në përputhje me përfaqësimin demografik, 50/50.

Kurti, e kandidatja për të parën e Gjakovës, Kusari-Lila, kanë vizituar edhe fshatin Cërmjan, ku janë takuar me fermerë e kanë premtuar mbështetje për ta.

“Fermerët e kanë kërkesën që për faktin se këto janë subvencione retroaktive, me qenë në të njëjtin nivel si kanë qenë”, ka thënë Kusari-Lila.

Kryeministri i Kosovës ka lavdëruar kandidaten për kryetare të kësaj komune.

“Kur vjen puna me udhëheq nuk di, munden me kanë ekip, por nuk di me udhëheq, a Mimoza di me udhëheq”, është shprehur ai.

Aty u premtua edhe funksionalizimi i Aeroportit të Gjakovës dhe rruga Gjakovë-Shkodër.

Takimet me qytetarë i kanë realizuar edhe kandidatët e tjerë të kësaj partie.