Lokalet 2021

Kronikë zgjedhore Abdixhiku thotë se Hazirit dhe Halitit duhet t’u besohet edhe nga një mandat

Kandidati për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë fushatës së tij ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mbylljen e disa lokaleve në Gjilan për shkak të shkeljes së masave anti-COVID. Në rajonin e Anamoravës, për të mbështetur kandidatët e LDK-së atje ka qëndruar edhe kryetari i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku

Me kritika ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ka nisur tubimin e tij kandidati për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri. Sipas tij, gjilanasit nuk duhet të lejojnë njerëz të tillë të udhëheqin me këtë komunë.

“Ne para disa ditësh kemi pasë kryeministrin, përveçqë mbylli disa lokale, erdhi këtu në tribunën e vogël e organizoi një tubim që i theu të gjitha rregullat e IKSHPK-së. Faleminderit shumë që ju më 17 tetor votuat dhe rikthyet LDK-në si parti e parë, kjo është ajo që keni bërë ju dhe e gjithë Kosova. Ju na ranguat parti e parë larg partisë së dytë”, u shpreh Haziri.

Derisa, mbështetje atij i dha edhe i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Tha se Haziri ka kryer shumë punë në Gjilan e duhet t’i besohet edhe një mandat tjetër.

“Në këtë përballje të nëntorit, dua ta kuptoni një gjë, se fitorja e Lutfi Hazirit nuk është individuale, është fitore për një koncept, për një ide, për të djathtën, për shtetësinë, por është për zhvillimin dhe LDK-në. Mbështetja për Luten është mbështetje për LDK-në dhe për mua. Luta nuk është vetëm, e ka një ekip fantastik rreth vetes. Prandaj është ballëhapur që të dalë para jush, ka tejkaluar te gjitha pritshmëritë dhe premtimet që ka dhënë".

Abdixhiku ka qenë edhe në Viti gjatë ditës për të përkrahur kandidatin për kryetar, Sokol Haliti, nga ku tha se ky qytet duhet t'i besojë përsëri Halitit për shkak të vlerës që ka. E vetë Haliti premtoi zhvillim ekonomik për vitiasit.

“Ne nuk e themi vetëm kot se do të jemi fitues të dielën, e themi sepse edhe në raundin e parë kemi fituar. Kemi fituar edhe për kuvend komunal bindshëm. Zhvillimin ekonomik të Komunës sonë nuk do ta ndalim, por do të kemi progres. Me zonën ekonomike që tashmë ia kemi dhënë konturat dhe do të hapet konkursi për bizneset që duan të investojnë. Do të zhvillojmë përparësitë dhe potencialet kryesore, sidomos bujqësinë. Bujqësinë dhe blegtorinë i kemi prioritet në kuadër të zhvillimit ekonomik”, deklaroi Haliti.

Në fushatën e tij për Fushë-Kosovën, Burim Berisha i LDK-së ka konfirmuar bashkëpunimin me AAK-në, AKR-në dhe Nismën Socialdemokrate në garën për të parin e qytetit.

“Fushë-Kosova do të vazhdojë rrugën e shndërrimit në një bërthamë të ekonomisë dhe kulturës, në zemër të Rrafshit të Kosovës”, kishte shkruar Berisha.

E një ditë të fushatës në Podujevë, Ekrem Hyseni e ka kaluar me të rinjtë që, sipas tij, janë e ardhmja e vendit.