Kandidati i pavarur për kryetar të Skenderajt, Bekim Jashari, fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 17 tetorit e ka fokusuar kryesisht me takime me qytetarë, në oda e shtëpi. Në pothuajse çdo tubim të tij janë parë shkelje të masave anti-COVID.
Dy javët e para të fushatës zgjedhore të kandidatit të pavarur për kryetar të Skenderajt, Bekim Jashari, janë shoqëruar me shkelje të masave anti-COVID.
Shumë qytetarë, pa respektuar distancën e pa maska, janë parë edhe në takimet e fundit, që Jashari ka zhvilluar me banorë të fshatit Vojnik dhe Kopiliq të Epërm.
Në fotot e publikuara nga vetë ai, shihet se pothuajse të gjithë të pranishmit janë pa maska.
Jashari, i cili është edhe kryetar aktual i Skenderajt, po gjen përkrahje edhe nga deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili është prezent në shumicën e tubimeve elektorale të tij.
Mbi 1000 vende të reja të punës në Parkun Industrial, e stadium me kapacitet deri në 4 mijë e 500 ulëse kanë qenë disa nga pak projektet që ka shpalosur Jashari deri tani, përmes rrjetit social në Facebook.
Edhe
Kronika Zgjedhore/ Jashari premton një mijë vende pune për të rinjtë e Skenderajt
“Do vazhdoj edhe më fuqishëm për mandatin tonë të dytë, duke krijuar vende të reja të punës, infrastrukture moderne sportive, duke u nisur nga politgonet sportive në fshatra”, ka premtuar ai.
Për dallim nga kandidatët e tjerë, Jashari ka vendosur që më shumë hapësirë t’u jepet prezantimit të projekteve që ka realizuar dhe kandidatëve që garojnë për ulësen e asamblistit.