Në ditën e fundit të fushatës, kandidati i AAK-së për kryeqytetin, Daut Haradinaj, ka organizuar ecje nga sheshi “Ibrahim Rugova” e deri te monumenti “Newborn”. Aty ai u takua edhe me një grup 18-vjeçarësh që do të votojnë për herë të parë. E mbështetje kandidatë të tjerë kanë marrë nga kreu i partisë, Ramush Haradinaj. Në përkrahje të kandidatit për Podujevën, Besnik Tahiri, ai i ftoi qytetarët që të votojnë për të
Me ecje e ka përmbyllur ditën e fundit të fushatës kandidati për Prishtinën, Daut Haradinaj.
Së bashku me kandidatët për asamble, ai e ka përshkuar në këmbë shtegun nga sheshi “Ibrahim Rugova”, deri te monumenti i “Newbornit”.
E këtu, Haradinajn e pritën disa 18-vjeçarë, të cilët do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 17 tetorit.
“Jemi një grup të rinjsh, jemi krejt 18-vjeçarë, kështu që për herë të parë po votojmë për vendin tonë dhe kemi vendosë që këtë votë me ia dhanë AAK-së dhe juve zoti Haradinaj. Duke parë e përcjellë programin e juaj, mendojmë që jeni i denjë për me udhëheqë”, thanë ata.
Sipas kandidatit të AAK-së për kryeqytetin, ky brez do të mbahet mend gjatë.
“Ju ftoj që me të 17-n ta japim kontributin e përbashkët dhe mendoj që keni me kanë një prej brezave që ka me u mbajtë mend në histori të kryeqytetit tonë”, tha Haradinaj.
Mbështetja nga kreu i partisë nuk ka munguar për kandidatët e tij as në ditët e fundit të zgjedhjeve.
Ramush Haradinaj, në përkrahje të Besnik Tahirit, në një ambient të mbyllur me shumë të pranishëm, u ka bërë thirrje atyre që të bashkohen me Aleancën në zgjedhjet e 17 tetorit.
“Merrne këtë shans, bashkohuni me Besnikun, me numrin 121, bashkohuni me kandidatet dhe kandidatët, nuk po boj diskriminim në moshë, po bashkohuni me kandidatët dhe kandidatet, shumica prej të cilëve perspektivë e juaja, të rinj e të reja mjaft të talentum”, ka thënë ai.
Në pritjen e kryetarit të partisë nuk munguan as çiftelitë.
Në një video të publikuar në Facebook shihen disa qytetarë duke kënduar me çifteli para kryetarit të partisë e kandidatit për kryetar.
Ndërkohë, kandidati për Podujevën, Besnik Tahiri, edhe një herë u ka premtuar qytetarëve se Podujevën do ta bëjë qytet model.
“Nisja ime në këtë garë e ka vetëm një qëllim dhe ai qëllim është rikthimi i këtij qyteti, i këtyre qytetarëve në vendin meritor që e kanë, jo vetëm në portën ekonomike, por në bërjen e një komune model”, ka thënë Tahiri.
Thirrje qytetarëve për besim në Aleancë ka bërë kandidati për Gjakovën, Ardian Gjini.
“Këtë të diel nuk e kërkoj votën tuaj. E kërkoj besimin e të gjithë juve, por jo vetëm besimin në mua, kërkoj që ju të besoni në vetvete. Besoni në njëri-tjetrin, besoni se Gjakova mund të ecë përpara”, tha ai.
E thirrje për ta votuar, duke iu premtuar bashkëqeverisje me qytetarët, ka bërë kandidati për Gjilanin, Nazim Gagica.
“Ne kemi shprehur vizionin tonë për Gjilanin dhe ju e keni mbështetur atë. Ne ju kemi premtuar se do ta zhvillojmë Gjilanin krah për krah me të gjithë ju; ne ju kemi premtuar bashkëqeverisje e jo drejtim nga zyra. Të dashur miq të Gjilanit, të dielën para se të votoni, mendoni edhe një herë për rrugën tuaj, lagjen tuaj, fshatin e qytetin”, ka thënë ai.
Në ditën e fundit, fushatë kanë bërë edhe kandidatë të tjerë të kësaj partie.