Besimin dhe votat e qytetarëve për listën e AAK-së në Han të Elezit i ka kërkuar kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj. E me premtime për rritje të buxhetit dhe ndërtim të trotuareve ka vazhduar fushatën kandidati për Gjakovën, Ardian Gjini
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar votën e qytetareve të Hanit të Elezit për asamblistët e kësaj partie. Haradinaj ka thënë se partia që ai drejton edhe kësaj radhe e mbështet kandidatin e pavarur dhe kryetar të Hanit të Elezit, Rufki Suma, i cili është kryetar aktual.
Haradinaj po ashtu kërkoi besimin e banorëve për kryesuesit Zaim Bela.
“Krenohemi si Aleancë që jemi me ju, do të jemi edhe në katër vjetët që vijnë në asamblenë komunale me listën tonë me kandidatët dhe kandidatet mjaft të respektuar së cilës i prin kryetari i degës sonë, Zaim Bela, që është ekonomist i diplomuar dhe menaxher i dëshmuar deri më sot. E kam për nder të kërkoj votën tuaj për listën tonë për kryetarin tonë”, ka thënë ai.
E kandidati për Prishtinën, Daut Haradinaj, ka vizituar pensionistët e kryeqytetit për të cilët ka thënë se e kanë përkrahur atë. Haradinaj tha se do të jetë top prioritet i tij qeverisës kjo kategori.
“Ne u zotuam se në rast se ne do ta marrim mandatin do të jemi të kujdesshëm, sepse këta janë prindërit tanë dhe janë shtresa e parë e shoqërisë që e kanë krijuar këtë vend dhe këtë realitet që ne e jetojmë sot”, ka thënë ai.
Edhe
Gjini: Do ta vazhdojmë punën për ta bërë Gjakovën qytet ku ia vlen të punohet e jetohet
Premtim për infrastrukturë, rrjet elektrik, ujë të pijshëm 24 orë, ndriçim dhe mundësi të reja për punësim ka dhënë kandidati për Istogun, Bekë Berisha.
“Vizitë familjeve Ganaj, Murselaj dhe Sylaj në Zallq. Ky vendbanim ka nevojë për gjërat bazike për të zhvilluar jetesën në këtë anë. Ju premtova se me bashkëqeverisjen tonë, do të kenë infrastrukturë, rrjet elektrik, ujë të pijshëm 24 orë, ndriçim në të gjitha lokalitetet dhe mundësi të reja për punësim”, ka shkruar Berisha në “Facebook”.
Kryetari i Gjakovës që synon edhe një mandat të ri, Ardian Gjini u ka premtuar banorëve të kësaj komune rritje të buxhetit, mjete me të cilat sipas tij do të sigurohen ndriçim e trotuare nëpër fshatra.
“Periudhën që po vjen kemi me i rritë këto mjete që i kem shti në Babaj për katër vjet se ka me na u rritë buxheti dhe praktikisht mshilen rrugët, ndriçimi, ujësjellësi, trotuaret, parqet…”, ka thënë Gjini.
Përkrahje për familjet e dëshmorëve e veteranët e invalidët e luftës ka premtuar kandidati për Gjilanin, Nazim Gagica. Ai ka thënë se me të kryetar do të ketë bursa të veçanta për studentët e familjeve të dëshmorëve dhe për punësimin e tyre.
“Ne zotohemi se familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e luftës së UÇK-së, do ta kenë përkrahjen e parezervë nga qeverisja jonë në mandatin e ardhshëm katërvjeçar në Gjilan.
Do të ndajmë bursa të veçanta për studentët e familjeve të dëshmorëve, për punësimin e tyre dhe mbështetje për invalidët e veteranët në secilën sferë të jetës”, ka shkruar Gagica.
Edhe
Haradinaj: Ardian Gjini, kryetar model për tërë Kosovën
Fushatën për zgjedhjet e 17 tetorit e ka vazhduar edhe Bashkim Ramosaj, kandidat për Deçanin.
Ai është zotuar dhe u ka premtuar qytetarëve se kërkesat dhe shqetësimet e tyre do të kenë trajtim e realizim të shpejtë.