Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore / Kurti: Në Gjakovë fitojmë me të parën, në disa komuna me balotazh

Lëvizja Vetëvendosje synon që Komunën e Gjakovës ta fitojë pa balotazh. Lideri i kësaj partie, Albin Kurti, gjatë vizitës në këtë qytet tha se në disa komuna nuk do të mund të fitojnë pa balotazh, porse Gjakova nuk do të jetë një prej tyre

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kryeministër i Kosovës, është shprehur i bindur në fitoren e kandidates së LVV-së në Gjakovë, Mimoza Kusari. Në një tubim në kundërshtim me masat anti-COVID, ku shkoi për t’i dhënë mbështetje Kusarit, Kurti tha se ka disa komuna ku partia e tij do të mbesë në balotazh, porse Gjakova nuk është e nuk duhet të jetë një ndër to.

“Do të ketë komuna në Kosovë ku fitojmë në balotazh në raund të dytë, por Gjakova nuk ka nevojë të jetë njëra prej tyre, në Gjakovë duhet të fitojmë më 17 tetor. Pra, pas zgjedhjeve, kur të numërohen fletëvotimet Mimoza do të fitojë”, ka thënë Kurti.

E Kusari në këtë takim dha disa premtime për arsim e punësim gjithëpërfshirës, për infrastrukturë e zhvillim të qëndrueshëm në Gjakovë.

“Tash më 17 tetor është koha e kthimit të mirëfilltë të atij besimi qytetar që iu dha qeverisë qendrore më 14 shkurt edhe në nivelin komunal, në mënyrë që bashkë ne me qeverinë Kurti të jetësojmë planet për zhvillimin e mirëfilltë të Gjakovës”, ka thënë ajo.

E Kurti shtoi se me të kryeministër, Gjakova do ta ketë më të lehtë përparimin e Komunës. “Diçka mund të bëhet me buxhet të Komunës, por shumëçka duhet të bëhet me buxhet të shtetit. Viti i ardhshëm është viti i parë kur unë si kryeministër do ta shkruaj buxhetin e shtetit në përputhje me programin e qeverisë e po ashtu edhe Mimoza do ta shkruajë buxhetin e Komunës për nevojat e Gjakovës”, ka deklaruar ai.

Pas një vizite në lagjen “Mati 1”, kandidati për Prishtinën, Arben Vitia, ka thënë se rruga e papërfunduar “Muharrem Fejza” do të jetë prej punëve të para që do të merret pas marrjes së mandatit. Ai ka thënë se përfundimi i rrugës është hall i përbashkët edhe i qytetarëve por edhe i bizneseve të lagjes.

“Zhurmat e larta, problemi me qentë endacakë, identifikimi i pronave, terrenet sportive janë çështje që do të marrin trajtë të zgjidhjes. Çdo lagje duhet ta ketë baziken. Çdo lagje duhet të ketë shumë më shumë se kaq”, ka thënë ai.

Kreu i Prizrenit dhe kandidati edhe për një mandat, Mytaher Haskuka, ka vizituar disa biznese prodhuese të cilat ka thënë se po ndihmojnë zhvillimin ekonomik të qytetit, për mbështetjen e të cilave ai ka thënë se i ka liruar nga pagesa e taksës komunale në tërësi. Pas 17 tetorit ai ka shtuar se do ta rrisë edhe më shumë mbështetjen për bizneset prodhuese.

“Kjo mbështetje do të vijojë të shtohet për të gjitha bizneset, të cilave do t’iu mundësohet të krijojnë qasje në tregje të reja ndërkombëtare dhe të rrisin eksportet e Kosovës; të hapin linja të reja të prodhimit, të fusin produkte të reja, duke arritur njëkohësisht edhe shtimin e numrit të punëtorëve”, ka deklaruar ai.

Në Rahovec kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, nëpërmjet bashkëpunimit me Bankën Botërore e Ministrinë e Bujqësisë premtoi sistemin e ujitjes deri në 80 për qind të tokave bujqësore të Rahovecit. E në Lipjan kandidati Adnan Rrustemi ka premtuar modernizim të shtëpisë së Kulturës.

Në Podujevë, Shpejtim Bulliqi e ka prezantuar projektin e Zonës Industriale, i cili ka thënë se do ta transformojë e zhvillojë komunën. Ai ka bërë të ditur se në kuadër të zonës do të zhvillohen veprimtari të ndryshme si industria përpunuese, servise dhe shërbime, showroome për bizneset prodhuese ekzistuese. Ai ka shtuar se nuk do të mungojnë as hapësirat për rekreacion, parqe, gastronomi dhe hapësirat për administratën e zonës.

“Zona Industriale e projektuar në 49 parcela, me hapësira nga 6000 në 7000 metra katrorë, do të ofrojë gjithë infrastrukturën dhe hapësirën e nevojshme për prodhuesit tanë, për afaristët nga mërgata dhe gjithë investitorët e huaj që duan të investojnë në Podujevë. Realizimi i zonës do ta transformojë ekonominë tonë, duke krijuar vende pune për të rinjtë e komunës sonë”, ka thënë Bulliqi.