Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / Në prani të Kurtit, mbështetësit e VV-së shpërfillin masat anti-COVID

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili nga pozita e kryeministrit po bën thirrje për respektim të masave anti-COVID, mori pjesë në një aktivitet të partisë në Prishtinë. Disa nga mbështetësit e tij nuk respektuan distancën dhe nuk mbanin maskat. Kandidatët e VV-së nëpër komuna premtuan mbështetje për gratë, investime në infrastrukturë e zhvillim të agroturizmit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili nga pozita e kryeministrit po bën thirrje për respektim të masave anti-COVID, mori pjesë në një tubim elektoral ku u shkelën ato. Aty nuk u respektua distanca e disa nga të pranishmit nuk kishin as maska.

Kurti takoi kandidatët për asamblistë për Komunën e Prishtinës, por me të nuk ishte kandidati për kryetar, Arben Vitia.

Faqja zyrtare e LVV-së, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se projektet e kryetarit Vitia dhe të Qeverisë Kurti përputhen, “prandaj ndryshimi në kryeqytet me Arbenin përveçse do të jetë i shpejtë, do të jetë edhe përmbajtjesor”.

Masat nuk i respektoi as kandidati për kryetar të Komunës së Vushtrrisë në një takim me disa gra. Edhe në këtë takim nuk u respektua distanca e disa nga të pranishmit nuk kishin të vendosura maska.

Arsim Rexhepi, kandidat i LVV-së për Vushtrri, u ka premtuar aty se gratë i shohin pjesë e çdo vendimmarrjeje.

“Kryetari i ardhshëm i komunës, prof. dr. Arsim Rexhepi, mori pjesë në një takim me disa gra përkrahëse të Lëvizjes në Vushtrri, ku bashkërisht shkëmbyen ide për të ardhmen. Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari Arsim Rexhepi gratë i shohin pjesë të çdo vendimmarrjeje. Prioritet do të kenë në punësim, fuqizim në biznese, në fonde, subvencione e grante të ndryshme. Ndasitë gjinore nuk i njeh Lëvizja, sepse ne bashkë qeverisim!”, thuhet në njoftimin e LVV-së, dega në Vushtrri.

Alban Krasniqi, kandidat për kryetar të Malishevës, ka vizituar Qendrën për Punë Sociale, ku edhe u ka premtuar atyre objekt të ri e modern dhe pajisje me mjete pune. Krasniqi ka akuzuar pushtetin lokal në këtë komunë se po i kushtëzon qytetarët me votë në këmbim të shërbimeve.

“Para secilit proces zgjedhor, rastet të cilat përfitojnë asistencë sociale nga kjo qendër ankohen në vazhdimësi se u bëhet presion që votën e tyre dhe vullnetin ta orientojnë zakonisht nga pushteti lokal. Këtu kemi të bëjmë edhe me një zyrtar brenda, që publiku e di me emër e mbiemër, i cili në vazhdimësi u bën presion rasteve e u bën presion me votë të personave të caktuar të zyrtarëve e kandidatëve të caktuar”, ka thënë ai pas vizitës që ka pasur në këtë qendër.

E kandidati për kryetar të Prizrenit e kryetar aktual i kësaj komune, Mytaher Haskuka, mbrëmjen e së martës ka takuar banorët e Hasit, ku përmes një videoje ka ndarë edhe projektet që ka realizuar deri tash.

“Ato qe s’i kanë bërë për 20 vjet ne i kemi bërë për 4 vjet, me gjithë problemet, pengesat e sabotimet që na kanë bërë”, ka thënë Haskuka para qytetarëve.

Investime në sferën e agroturizmit e kthimin e fshatit Zatriq të Komunës së Rahovecit në një fshat turistik ka premtuar kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit, Visar Korenica.

Derisa kryetari i Kuvendit të Kosovës, i cili është pjesë e LVV-së, Glauk Konjufca, vizitoi Komunën e Shtimes. Ai së bashku me kandidatin për kryetar të kësaj komune, Qemajl Aliu, vizituan banorët e fshatit Muzeqinë, ku u premtuan atyre zgjidhje të problemeve që nuk i ka zgjidhur qeverisja e tashme.

“Premtuam se ngritja e kolektorit dhe rregullimi i lumit janë prioritete në qeverisjen tonë, si dhe uji i pijshëm e evitimi i problemeve të kanalizimit. Gjithashtu edhe përmirësimi i shërbimeve shëndetësore, si dhe ndërtimi i një çerdheje publike në Muzeqinë. Muzeqina dhe fshatrat e komunës kanë nevojë për zhvillim dhe për vëmendje më të madhe institucionale”, ka shkruar Aliu në Facebook.