Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Abdixhiku fton qytetarët të votojnë kandidatët e LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në prag të përfundimit të fushatës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të votojnë për kryetar komunash kandidatët e LDK-së. E pretendentët për kryetarë të kësaj partie gjatë së enjtes kanë dhënë premtime për mjedis më të pastër, urbanizim e punësim me meritokraci

Tri ditë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të enjten u është drejtuar qytetarëve të Kosovës duke kërkuar mbështetje për kandidatët e partisë së tij. Nëpërmjet një videoje, Abdixhiku ka thënë se nga çdo takim e dorështrëngim gjatë kësaj fushate ka dëgjuar e mësuar se çfarë shteti mund të bëhet Kosova. Ai ka deklaruar se këto takime e kanë bërë të ditur kthimin e LDK-së prapë në parti të madhe me vlera e ide që i mbijetojnë kohës.

“Kandidatët tanë janë njerëzit tuaj, sikurse ju ata kalojnë çdo ditë me hallet e brengat tuaja. Janë njerëz që Komunën e kanë familjen e tyre të madhe dhe si të tillë edhe e mbajnë. Prandaj, ju ftoj t’i mbështesni ata, të mbështesni Lidhjen Demokratike të Kosovës, shtëpinë tuaj politike. Le të udhëtojmë së bashku, të gjithë për të gjithë”, ka thënë ai.

Kandidati për kryeqytetin, Përparim Rama, ka premtuar se me të kryetar, shumë shpejt Prishtina do të shndërrohet në një ndër qytetet më të pastra në rajon. Sipas tij, përmes menaxhimit efikas të mbeturinave do të ndryshohet tërësisht pamja e kryeqytetit duke e bërë vend të dëshirueshëm për të jetuar. Në linjë me këtë ai ka shpalosur disa plane, ndër to edhe ndërtimin e Kopshtit Botanik.

“Ne do ta shtojmë kujdesin ndaj zonave të pasura me biodiversitet, siç janë Parku i Gërmisë, Parku i Taukbashqes, Parku i Qytetit dhe Parku i Arbërisë. Do të ndërtojmë së paku edhe dy impiante për trajtimin e ujërave të zeza”, ka deklaruar ai.

Për ambient të pastër e të gjelbër është zotuar edhe kandidati për Gjakovën, Teki Shala. Ai ka premtuar se hapësirën e parkut të lirisë, e cila është vend i Bashkësisë Islame, do ta shndërrojë në një qendër rekreativo-sportive, ku të rinjtë dhe qytetarët e Gjakovës do të kenë mundësi që të argëtohen në atë vend. “Të gjitha të ardhurat që krijohen nga ky park do të shfrytëzohen për nevoja të Bashkësisë Islame dhe në mbulimin e shpenzimeve në menaxhimin e parkut”, ka potencuar Shala.

Për Podujevë urbane, me zhvillim, ajër më të pastër e përfitime ekonomike është zotuar kandidati për këtë komunë, Ekrem Hyseni. Mes tjerash ai ka thënë se do ta realizojë ngrohtoren e qytetit, e cila do të sjellë ngrohje më të lirë dhe do ta bëjë ajrin më të pastër, duke ndalur prerjen e pyjeve.

“Do të ndërtojmë një qendër multifunksionale, që do t’u ofrojë të rinjve një jetë të re. Do të jetë një vend ku të rinjtë tanë mund ta kalojnë ditën duke mësuar, argëtuar e shoqëruar”, ka shtuar ai.

Në Mitrovicë, kandidati, Armend Agolli ka premtuar se gjatë mandatit të tij konkurset nuk do të jenë të kurdisura e se punësimi do të bëhet nëpërmjet meritave. Sipas tij, vetëm kështu mund të shkojë përpara qyteti i Mitrovicës.

“Do t’i themi jo favorizimit të miqve e jaranave, do t’i themi po favorizimit të ekspertëve, anëtarëve të familjeve me asistencë sociale që s’kanë asnjë të punësuar, personave me aftësi të kufizuara dhe femrave të papunësuara”, ka thënë ai.

E Xhafer Tahiri, kryetari dhe kandidat për Vushtrrinë, ka dhënë disa nga arsyet pse qytetarët duhet t’ia besojnë edhe një mandat.

“Shërbime shëndetësore cilësore, plan strategjik gjithëpërfshirës në ngritjen e cilësisë në arsim, mbështetje fermerëve me ujitje të tokës dhe me 4 cent për litër qumështi e rritje edhe më shumë të subvencioneve për sport”, ka thënë Tahiri.

Në Ferizaj, kandidatja Sibel Halimi është zotuar për përmirësim të shërbimeve shëndetësore. Ajo ka thënë se do ta bëjë zgjatjen e orarit në të gjitha AMF-të e ndërtimin e qendrës ditore për personat me aftësi të kufizuara, e cila, përveçqë do të ofrojë hapësirë për qëndrim, do të jetë e pajisur me hapësirë për ushtrime fizike, ergoterapeutike, logopedike dhe do të ofrojë shërbime psikologjike.

Në Lipjan, kreu i Komunës që po kandidon edhe për një mandat, Imri Ahmeti, ka mbajtur një takim me banorët e Magurës, i cili është zhvilluar në kundërshtim me masat anti-COVID.