Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka takuar të rinjtë e kësaj komune, të cilëve u ka premtuar se do të vazhdojë angazhimin për të krijuar vende pune e perspektivë për ta.
Me shkelje të masave anti-Covid e ka vazhduar fushatën kryetari i Skenderajt dhe kandidati i pavarur Bekim Jashari.
Në një takim më banorët ku nuk u respektua distanca e nuk u vendosen masat, Jashari ka premtuar shërbime të mira për qytetarët dhe mirëqenie.
Ndërsa në një takim me të rinjtë e kësaj komune ka premtuar se nëse do të marrë besimin për mandatin e dytë do të krijojë mbi 1 mijë vende të reja të punës.
“Gjatë mandatit tim të ardhshëm do të kujdesem maksimalisht për të krijuar vende të reja të punës për ju përmes investimeve vendore e ndërkombëtare në parkun e biznesit ku do të hapen mbi 1 mijë vende të reja të punës”, ka thënë Jashari.
Jashari ka prezantuar edhe disa projekte që synon t'i realizojë gjatë mandatit të dytë.
“Stadiumi që prezantuam do të ndërtohet në bashkëfinancim mes Komunës së Skenderajt dhe Ministrisë së Kulturës, do të ketë një kapacitet prej 4 mijë e 500 ulësesh...krahas stadiumit do të ndërtojmë edhe pishinën gjysmë-olimpike, salla sportive në secilën shkollë dhe në secilin fshat. Madhështisë së qytetit tonë do t'i shtohet edhe objekti multifunksional, ku do të vendoset qendra rinore, salla të trajnimit, salla të konferencave dhe hapësira për organizatat joqeveritare. Do të vendoset edhe biblioteka e qyteti me salla moderne të leximit, si dhe muzeu historik, ku do të ruhen dhe do të prezantohen vlerat tona kombëtare, si dhe lufta e shenjtë e UÇK-së”, ka shtuar ai.
Jashari tha se duke qenë të bashkuar do të arrijnë ta jetësojnë amanetin dhe idealin e brezave të tërë të rënë për liri e pavarësi.
Mbështetje atij i ka dhënë edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili tha se për zgjedhjet në Skenderaj është e interesuar edhe Serbia.
Haxhiu tha se vota për Bekim Jasharin është votë për UÇK-në dhe për bashkëluftëtarët në Hagë.