Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / Fadil Nura i kërkon ballafaqim publik Bekim Jasharit

Fadil Nura
 

Kandidati i PDK-së për Skenderaj, Fadil Nura, ka thënë se është i gatshëm 24 orë për të debatuar mbi programet e tyre në debatin me kundërshtarin e tij, Bekim Jashari. Ndërkaq Ramiz Lladrovci, kandidat edhe për një mandat në Drenas, ka shpalosur programin e tij për rininë, i shoqëruar nga kryetari i partisë, Memli Krasniqi

Ramiz Lladrovci në Drenas, nën shoqërinë e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, ka paraqitur programin e tij për rininë. Para një numri të të rinjve të Komunës së Drenasit, Lladrovci përmendi punët e tij gjatë mandatit të kaluar, dhe u premtoi atyre se do të vazhdojë t’i përkrah ata.
“Trajnimi në fushën e IT-së, duke i përgatitë pjesëmarrësit për treg të punës. Subvencionet për rininë në vlerë prej 17 mijë e 480 eurosh. Jam kryetari i parë që i kam dhënë mjete financiare KVL-së, që ata me i zhvillu sipas programit të tyre, sepse përpara pagesat i ka bërë dikush tjetër ose komuna, por jo rinia”, ka deklaruar Lladrovci.
Ftesë për debat i ka kërkuar Fadil Nura i PDK-së, kundërkandidatit të tij Bekim Jashari, në garën për Komunën e Skenderajt. Gjatë një tubimi me simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës, Nura ka thënë se është i gatshëm 24 orë për ballafaqim të ideve me kryetarin aktual.
“Jam i gatshëm të ftoj kundërkandidatin dhe t’i ofroj debat, jam i gatshëm 24 orë t’i ballafaqojmë idetë, programet, vizionin, konceptet tona politike për të ardhmen e Skenderajt”, ka thënë Nura.
E fitore të thellë ka kërkuar Sami Lushtaku për Partinë Demokratike në Skenderaj.
“Uroj që fitorja e Partisë Demokratike të jetë e thellë, të jetë bindëse, t’u dërgojmë mesazh atyre që sot mendojnë që Partia Demokratike është dëmtuar në Skenderaj”, ka thënë Lushtaku.
Ndërkohë, të hënën e të martën në Prishtinë, Uran Ismaili e ka intensifikuar fushatën e tij. Gjatë kësaj kohe ai ka vizituar zjarrfikësit në ora 2 të mëngjesit, në 3 Trafikun Urban, e në 6:30 tridhjetë Tregun e Gjelbër. Aktivitetet i përfundoi në ora 8 të mëngjesit, ku premtoi themelimin e një ekipi që do të punojë në ndërrimin e dytë.
“Do të ndërtoj një ekip që punon në ndërrimin e dytë në komunë. Ekipi do të udhëhiqet nga një nënkryetar që ndihmon realizimin e të gjitha proceseve që Prishtina të jetë e gatshme, kur banorët fillojnë ditën në mëngjes. Prishtina është qytet që për plotësimin e nevojave të saj kërkohet angazhim i vazhdueshëm i Komunës për planifikim dhe shërbime 24 orë”, ka deklaruar Ismaili.

Ai ka shtuar se nuk mjafton vetëm një pjesë e ditës për ta përmirësuar jetën e qytetarëve. E sipas tij, me të si kryetar Prishtina do të ketë shërbime 24-orëshe.