Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ LDK-ja premton investime milionëshe në fshatra e punësim sezonal për të rinjtë

Kandidati për kryetar të Fushë-Kosovës, Burim Berisha, ka premtuar investim milionësh në njërin nga fshatrat e kësaj komune. Në Istog kandidati i LDK-së ka premtuar punësim sezonal për rininë e në Malishevë, Bajrush Hoti u zotua për përmirësim të shërbimeve shëndetësore e ndërtim të disa ambulancave.

Një milion euro investime në fshatin Bardh të Madh ka premtuar kandidati për kryetar të Fushë-Kosovës, Burim Berisha.

Berisha ka thënë se gati gjysma e tyre do të shkojnë në infrastrukturë e të tjerat në shëndetësi, arsim, kulturë, rini e mjedis.

Ndërsa kandidati për kryetar të Istogut, Ilir Ferati, është zotuar për zhvillim të bujqësisë dhe turizmit në këtë Komunë.

Ai ka thënë se do të ketë eliminim të taksave për disa biznese, derisa nuk do të mungojnë as grantet e subvencionet për fermerët.

“100 të rinj nga shkollat profesionale të qytetit do të punësohen çdo verë në punë praktike me pagesë në bizneset prodhuese të Istogut”, ka thënë ai.

Në Dragash, kandidati Bexhet Xheladini ka publikuar programin qeverisës. Prioritet u ka dhënë zhvillimit ekonomik, zhvillimit të bujqësisë, mjedisit dhe turizmit.

E kandidati për Lipjanin, Imri Ahmeti, i cili aktualisht udhëheq me këtë Komunë, mbrëmjen e së enjtes ka bërë vizitë në disa fshatra të këtij qyteti, ku edhe ka përuruar ndriçimin.

“Shaljanë i gëzofshi, unë jam i lumtur që sonte bashkë me ju po i përurojmë këto drita. Po besoj është mirë që nga terri po dalim në drita, nga lloçi kemi dalë në asfalt”, ka deklaruar ai.

Në Vushtrri, kandidati Xhafer Tahiri ka thënë se do të angazhohet maksimalisht që projekti për liqenin akumulues në Sllakoc të bëhet realitet edhe pse nuk është projekt që zhvillohet me buxhetin e Komunës.

“Komuna dhe kryetari i Komunës duhet ta ketë detyrë të çdo ditshme realizimin e këtij projekti kaq vital, që siguron ujë të pijes, ujitje të tokave për fermerët, po ashtu zhvillim e transformim të zonës së Shalës së Bajgorës”, ka premtuar Tahiri.

Ndërsa në Malishevë kandidati Bajrush Hoti ka premtuar shërbime cilësore shëndetësore, duke depolitizuar shëndetësinë, ndërtuar Qendra të Mjekësisë Familjare e duke rritur numrin e personelit mjekësor.