Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Nga PDK-ja premtohen shkolla të reja e fuqizim i gruas

4 shkolla të reja në Podujevë, punësime jopartiake në Istog e fuqizim të gruas në Vushtrri, janë disa nga premtimet e kandidatëve të PDK-së në këto komuna përkatëse. Ndërkaq për shkak të motit jo të përshtatshëm, Uran Ismaili, kandidat për të parin e kryeqytetit nga kjo parti, e ka anuluar konferencën e paralajmëruar.

Përmes një videoadresimi, Floretë Zejnullahu, kandidate e PDK-së për kryetare të Podujevës, ka shpalosur programin e saj për 4 vjet të qeverisjes.

Katër shkolla të reja, kabinet, hapësira sportive e ndërtim të Qendrës Kulturore në qytet, ka premtuar Zejnullahu.

“Në katër vitet e ardhshme në Komunën e Podujevës do të ndërtojmë objekte të reja shkollore me hapësirë përcjellëse si kabinete dhe hapësira sportive. Do të bëhet riparimi i objekteve të reja shkollore ekzistuese, duke krijuar hapësira të nevojshme dhe komode në procesin mësimor sipas standardeve evropiane. Do të ngrisim terrene sportive në të gjitha shkollat dhe në të gjitha fshatrat”, ka thënë Zejnullahu.

E për shëndetësinë, ajo është zotuar se do të finalizohet Qendra e Mjekësisë familjare, si dhe ajo e Urgjencës, ka thënë se do të ketë laboratorë për analiza të cilat premtoi se do të jenë pa pagesë.

Ndërkaq, fuqizim të pozitës së gruas në shoqëri e punësime për të rinjtë ka premtuar Ferit Idrizi, kandidat i PDK-së për kryetar të Vushtrrisë.

“Jam jashtëzakonisht i përkushtuar që me mbështet rininë fuqishëm, t’i japim përgatitje profesionale, me i subvencionu vendet e tyre të punës në mënyrë që të hapim vende të reja të punës për të ri. Jam shumë i përkushtuar me i mbështet edhe gratë në avancimin e jetës shoqërore, jetës institucionale dhe në vendimmarrje. Pa këtë kombinim do ta kem vështirë me shku përpara, por besoj që bashkërisht do t’ia dalim”, ka thënë Idrizi.

Kurse Ali Nimanaj, kandidat i PDK-së për të parin e Istogut, ka thënë se drejtorët e shkollave nuk do të jenë më politikë.

“Deri më tani, kriteri i vetëm për emërimin e drejtorëve të 11 shkollave në Istog ka qenë kriteri partiak. Ky model që e ka degraduar arsimin në komunën tonë duhet të marrë fund. Me qeverisjen tonë do të aplikohet vetëm kriteri profesional”, është premtimi i Nimanajt.

Ndërkaq, reshjet e shiut bënë që Uran Ismaili ta anulojë konferencën e radhës që ishte paralajmëruar të mbahej gjatë ditës.