Xhemajl Hasani, kandidat për kryetar të Komunës së Podujevës nga NISMA, thotë se nuk ka shumë premtime për të dhënë pasi sipas tij prej vitesh kjo komunë është keqqeverisur dhe se tash duhet të plotësohen nevoja elementare.
Në Zgjedhjet në Kohë – Debati për Podujevën, Hasani ka thënë se kanë dalë me planprogram sipas kërkesave të qytetarëve.
“Ne kemi hartua planprogram që është i ndërtuar mbi bazën e nevojave dhe kërkesave të qytetarëve. Kemi dalë në qytet dhe fshatra dhe ka raste që kemi bujtë nëpër ato vende. Kemi plan ndryshe nga kandidatët tjerë sepse nuk jemi si kandidatët tanë sepse nuk premtojmë shumë, nuk kisha dashtë me shumë se sonte të premtoj fabrika, por derisa komuna jonë përballet me vështirësi dhe duhet sonte më premtu gjënë më elementare, ujin e pijshëm, nuk është e lehtë për ne, por vjen si pasojë e keqqeverisjes së LDK-së”, tha ai.
Hasani më pas ka treguar për pikat tjera të programit.
“Do të heqim barrierat administrative fiskale. Parkun e biznesit do ta ndërtojmë në hyrje të Podujevës, në fshatin Llapashticë. Është hapësirë prej 20 hektarë. Do të kemi vëmendje te bizneset e reja. Për 5 vjet të parë nuk do t’i tatimojmë. Kushte për konkurrim të barabartë më pas dhe lehtësira për investime në komunë”, ka thënë Hasani.
Komuna e Podujevës ka mbi 81,000 banorë e mbi 79,000 votues. Kjo komunë ka sipërfaqe prej 663 km katrorë e 76 fshatra.