Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ PDK-ja premton mbështetje për sportin

Descriptive Text

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Prishtinën, Uran Ismaili, të dielën nëpërmjet një videoje ka shpalosur idetë e tij për ta kthyer Prishtinën në destinacion turistik.

Ismaili ka thënë se kjo do të bëhet duke investuar në memorjen kolektive, art, kulturë e mikpritje.

“Së pari do ta nxisim turizmin kulturor. Prishtinën me bo epiqendër të ngjarjeve kulturore. Kemi me ndërtu sallën koncertale, teatrin e qytetit, galerinë e qytetit dhe muzeun e qytetit”, ka thënë Ismaili.

Në Mitrovicë, kandidati Bedri Hamza, ka bërë vizitë në shtëpinë e pensionistëve të cilëve u ka premtuar se nuk do të presin më me orë të tëra për t’u kontrolluar te mjeku, por mjeku do të jetë në dispozicionin e tyre.

E Agim Aliu në Ferizaj për katër vjetët e ardhshme të mandatit që synon, në plan ka edhe zhvillimin e sportit. Ndër të të tjera, ai ka premtuar ndërtimin e stadiumit të ri të futbollit, shkollën e mesme të edukatës fizike, sallën e sporteve luftarake e fusha të tjera sportive.

Edhe në Gjilan, kandidatja Leonora Bunjaku, është zotuar se stadiumi i qyetit do të përfundojë shumë shpejt. Ajo ka shtuar se me qeverisjen e saj mbështetje e pa rezerve do t’u jepet edhe 28 familjeve që jetojnë në banesat sociale.

Kandidati për Vushtrrinë, Ferit Idrizi, ka thënë se PDK-ja është partia që duhet të udhëheqë me qytetin për katër vjetët e ardhshëm, sepse sipas tij, i di të gjitha nevojat e Komunës.

“Ne e dimë ku dhe si duhet investuar, ne dimë si ta bëjmë Vushtrrinë kampion, ne i dimë kërkesat e bujqëve dhe fermerëve, ne dimë si ta ndërtojmë qytetin tonë”, ka thënë Idrizi.

Në Skenderaj, tubimet me elektorat të kandidatit Fadil Nura, mbrëmjen e së shtunës janë zhvilluar në kundërshtim të plotë me masat anti-COVID.