Me distancë e me maska është realizuar takimi i kandidates për kryetare te Komunës se Dragashit me banorët e fshatit Pllajnik. Ajo u ka premtuar atyre zgjidhje të problemeve me mbeturina, infrastrukturë e prona
Zhvillimi i turizmit rural në Komunën e Dragashit është njëri nga zotimet që banorët e fshatit Pllajnik morën nga kandidatja për kryetare të kësaj komune. Kaltrina Salihu, e cila është kandidate për kryetare të Dragashit nga Lista Guxo e Lëvizja Vetëvendosje, këtë të martë është takuar me banorë të fshatit me të thellë të Dragashit.
Ajo ka biseduar për rreth 1 orë me banorë të këtij fshati, ku edhe kanë vizituar vendet dhe problemet që sipas tyre, përballen tash e shumë vjet.
Ajo u ka premtuar atyre zgjidhje të problemit me mbeturina, prona e infrastrukturë.
“Problemi i parë është mungesa e shërbimit për mbledhjen e mbeturinave në këtë fshat, e problemi i dytë është mosdefinimi i çështjes së pronësisë, pra pronës private këtu për ekonomitë familjare dhe banorët e fshatit Pllajnik, një gjë që u shkakton probleme zinxhirore”, ka thënë ajo, duke shtuar se për shkak të këtij problemi, ata nuk mund të aplikojnë për subvencione.
U ka treguar banorëve pikat kryesore të programit të saj për Komunën e Dragashit, e cila përveç komunitetit shqiptar, është e banuar edhe me goranë e boshnjakë.
“Mbështetja e prodhuesve dhe përpunuesve të produkteve bujqësore, e gastronomisë promovimi i produkteve të Sharrit, po ashtu është dhe zotimi dhe përkushtimi që të mundësohet inkuadrimi i fëmijëve, të rinjve në programe për zhvillimin e shkathtësive praktike, mbështetja e studentëve si dhe nxitjen e fuqishme të përfshirjes së grave në tregun e punës”, ka thënë ajo.
Por, problemi kryesor i banorëve këtu ishte punësimi, për shkak se sipas tyre, këto kohë po kanë vështirësi të shumta për të gjetur punë. E kandidatja që synon mandatin e të parës së Dragashit, tha se kanë menduar që të zhvillojnë një pako turistike për vizitorë ndërkombëtarë, duke shtuar se shtëpitë e tyre do të mund të shfrytëzoheshin nga turistët në vend të hoteleve.
Me të, për të kërkuar mbështetjen e banorëve të këtij fshati që është në afërsi të shtetit maqedonas, ishin edhe kandidatë për asamblistë.
Uran Halimi, i cili është bartës i listës nga kjo parti, tha se për të gjetur zgjidhje të problemeve, qytetarët duhet t’i mbështesin më 17 tetor.
“Ne të kemi një mundësi që të ndihmojmë së bashku me kandidatët e tjerë, këtë fshat e të mos e lëmë në gjendje të mjerueshme”, ka thënë ai.
Edhe kandidatë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë vazhduar fushatën e tyre. Disa nga kandidatët e kësaj partie nuk mungoi mbështetja e pushtetit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili është edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka vizituar Komunën e Vushtrrisë e atë të Podujevës. Në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje, ku janë publikuar foto të kryeministrit me kandidatin e kësaj partie për kryetar të Vushtrrisë është thënë se kjo parti është e interesuar për punësimin e grave.
“Gratë në ndërmarrësi edhe pa përkrahjen e shtetit kanë arritur suksese. Dëshmi e kësaj është Kuzhina e hapur nga Shoqata e Grave Vetushqyese në Vushtrri, të cilën e vizitoi sot kryeministri Albin Kurti, bashkë me kandidatin për kryetar të Vushtrrisë, Arsim Rexhepi. Qeverisja e Vetëvendosjes i përkrah gratë sipërmarrëse. Është ky sektor, e sidomos punësimi i grave që na intereson e që do ta mbështesim në bashkëqeverisje prej 17 tetorit”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.